2017-01-01 11:09:00

Te Deum. Françesku: t’u japim përsëri shpresë të rinjve


Të impenjohemi që të rinjtë të jenë protagonistë aktivë të shoqërisë sonë e të kenë punë dinjitoze, në vendin e tyre! Kjo, nxitja e Papës Françesku në Mbrëmësoret e para e në Te Deum, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit ditën e fundit të vitit 2016. Të rinjtë – nënvizoi me forcë Papa – duhet  ta jetojnë të ardhmen në trojet e tyre. E, për këtë, duhet të angazhohen të gjithë. Presim shumë prej tyre e kërkojmë të jenë tharm i ardhmërisë, ndërsa i diskriminojmë e i detyrojmë të trokasin në porta të huaja, që rrallë herë hapen para tyre – theksoi Papa. E në vijim kërkoi që secili të angazhohet të bëjë aq sa mundet, për t’i ndihmuar të rinjtë të rigjejnë, në tokat e tyre, në atmen e tyre, horizonte konkrete për ta ndërtuar ardhmërinë, në trojet e tyre:

“Nuk duhet të mbetemi pa forcën e duarve të tyre, mendjeve të tyre, aftësive të tyre, e as pa realizuar ëndrrat e të moshuarve, që u paraprinë. Në se duam të shikojmë drejt së ardhmes së denjë për rinjtë, duhet ta arrijmë këtë vetëm e vetëm përmes gjithëpërfshirjes në trojet e tyre, të cilat duhet t’u japin punë dinjitoze, të lirë, krijuese, solidare”.

Natën e Solemnitetit të së Shenjtnueshmes  Mari, Nënë e Zotit, Papa nxiti edhe që të kapërcehen logjikat që çojnë në përjashtimin e të afërmit. E më pas, gjatë gjithë homelisë i ftoi besimtarët, që, pasi ia drejtuan sytë adhurues Birit të Zotit, lindur në Betlehem, tani t’ia drejtojnë së Shenjntueshmes Mari, Nënë e Zotit, duke kujtuar gjithë lidhjen e ngushtë ndërmjet Nënës e Birit, nga djepi, në kryq.  

Në përfundim të kremtimit Papa përshëndeti autoritetet e pranishme në Bazilikë si dhe një mori besimtarësh, në festë. Më pas vizitoi Shpellën e Betlhemit në Sheshin e Shën Pjetrit, para të cilit u ndalua disa çaste në lutje. 








All the contents on this site are copyrighted ©.