2017-01-01 13:25:00

Gëzuar Vitin e Ri me bekime e të mira nga programi i gjuhës shqipe i Radio Vatikanit!


Gëzuar Vitin e Ri, të dashur miq e  dëgjues të Radio Vatikanit dhe shqiptarë kudo që ndodheni, le të ecim së bashku me Zotin e Mëshirshëm e, kështu ky Vit, të jetë i mbarë dhe i lumtur. Fillojmë pra, një Vit të Ri e, na merr për dore shpresa e krishterë në Mëshirën e pakufishme të Zotit; e fillojmë këtë Vit të Ri duke iu lutur Hyjit të na japë bekimin hyjnor e duke kërkuar, me ndërmjetësi të Marisë, Nënës së Zotit, dhuratën e paqes e të pajtimit: për familjet tona, për  fshatrat e qytetet tona, për vendlindjen dhe për botën mbarë .

Të ecin pikërisht në rrugën e dashurisë së zemrës, që është dija e atyre, të cilët nuk u lodhën kurrë s’e kërkuari fytyrën e Mëshirshme të Zotit. Mund të jemi të sigurt: në se nuk lodhemi s’e kërkuari mëshirën e Tij Hyjnore, në se nuk i nënshtrohemi tundimit të humbjes së besimit e të dyshimit, në se përmes vështirësive të panumërta, mbetemi gjithnjë të lidhur ngushtë me Të, Zotin e jetës e Mësuesin e udhës së vëllazërimit, do të provojmë patjetër  bukurinë e pushtetin e dashurisë së Tij dhe të përdëllimit të Tij.  Foshnja Hyjnore e njomë e Betlehemit që Virgjëra Mari ia dëfton botës sot, në ditën a parë të Vitit të ri, na bën veprimtarë të dashurisë e të paqes, dëshmitarë të Tij, Princit të Paqes. Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.