2016-12-31 15:35:00

Dita e paqes. Papa: revolucioni i krishterë është ta duash armikun


“Në një Planet ‘të bërë copë e grimë’, në të cilin luftohet një luftë botërore vende-vende, të gjithë janë të thirrur të ndërtojnë një botë të çliruar nga dhuna”. Kështu shkruan Papa në Mesazhin për Ditën e 50-të  Botërore të Paqes, botuar më 12. 12. 2016,  përqendruar mbi temën: “Mospërdorimi i dhunës, stil i politikës për paqen”. Papa  bën përsëri thirrje për çarmatimin  dhe për zhdukjen e armëve bëthamore dhe siguron angazhimin e Kishës në favor të paqes përmes mospërdorimit të dhunës: “Uroj që dashuria dhe mospërdorimi i dhunës të na prijnë në lidhjet ndërpersonale, ashtu si në ato shoqërore e ndërkombëtare”.

Në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes, Papa Françesku u drejtohet të gjithë njerëzve vullnetmirë, duke nënvizuar se mospërdorimi i dhunës, temë qendrore e Ditës, është stil jete, që duhet bërë karakteristik për vendimet tona, duke nisur nga marrëdhëniet në familje, tek ato ndërmjet shteteve.

Nuk duhet të mësohemi me një botë të bërë copë e thërrime nga dhuna

Françesku pranon, me dhimbje, se pas shekullit të kaluar, të shkretuar nga dy luftëra botërore vrastare, sot ia nisëm përsëri me një luftë, që luftohet copa-copa, duke shkaktuar vuajtje të parrëfyeshme; nga terrorizmi, tek sulmet e armatosura të paparashikuara, nga shpërdorimet mbi emigrantët,  tek shkretimi i ambientit. Dhe e gjithçka që përftohet – pohon - është spirale konfliktesh vdekjeprurëse, nga të cilat përfitojnë vetëm zotërinjtë e paktë të luftës. Përballë këtij skenari dramatik, Mesazhi paralajmëron se dhuna nuk është mjekimi për të cilin ka nevojë bota jonë, e sëmurë rëndë, dhe vë theksin mbi sasinë e madhe të burimeve, që përdoren për qëllime ushtarake, mbi kurrizin e nevojave të shumicës së banorëve të botës.

Të jesh dishepull i Jezusit do të thotë të bashkohesh me propozimin e Tij për të mos e përdorur kurrë dhunën

Edhe Jezusi - kujton Papa - jetoi në kohë dhune e predikoi pa u lodhur kurrë dashurinë e pakushtëzuar të Zotit. Jezusi – shkruan akoma – përvijoi udhën e mospërdorimit të dhunës, të cilën e përshkoi deri në fund të fundit, deri në kryq, e përmes së cilës realizoi paqen e shkatërroi armiqësinë. E gjithë kjo - nënvizon Françesku - do të thotë se për të qenë dishepull i vërtetë të Jezusit sot, duhet të bashkohesh me propozimin e Tij për mospërdorimin e dhunës. E Papa vë, më pas, në dukje, se “dashuria për armikun përbën bërthamën e revolucionit të krishterë”.  

Të ndiqet shembulli i Nënë Terezës, Gandit e Martin Luther King

Françesku kujton disa figura të krishterësh e jo të krishterësh, që e vunë në jetë mospërdorimin e dhunës, duke nisur nga Nënë Tereza e Kalkutës, për të vijuar me Martin Luther King e me Gandin. E vëren se mospërdorimi i dhunës, i praktikuar vendosmërisht, solli rezultate tronditëse. Gratë - vijon të reflektojë - janë shpesh lidere të mospëdorimit të dhunës - e më pas  kujton Leymah Gbowee dhe mijëra gra liberiane, që organizuan takime lutjeje dhe protesta të padhunshme, duke zhvilluar bisedime të nivelit të lartë, për t’i dhënë fund konfliktit në Liberi. Françesku citon, më pas, edhe Gjon Palin II si dhe angazhimin kundër dhunës të burrave e grave të vendeve të Evropës, që çoi në shembjen e regjimeve komuniste.

Asnjë fe nuk është terroriste, dhuna e fyen emrin e Zotit

Kisha - lexohet akoma në Mesazh - angazhohet për vënien në jetë të strategjive të padhunshme të promovimit të paqes në shumë vende, duke i nxitur deri aktorët më të dhunshëm për të ndërtuar një paqe afatgjatë. Papa denoncon përsëri se asnjë fe nuk është terroriste e se dhuna është fyerje kundër emrit të Zotit. E nuk lodhet së përsërituri se emri i Zotit nuk mund ta përligjë kurrë dhunën. “Vetëm paqja është shenjte, jo lufta”.

Jo, dhunës shtëpiake, dashuria përhapet nga familja, në shoqëri

Papa i kushton vëmendje të madhe edhe familjes, vendi i parë ku mund të provohet “gëzimi i dashurisë” e të përshkohet shtegu i mospërdorimit të dhunës. Është urgjent - nxit Françesku - që nga gjiri i familjes gëzimi i  dashurisë të përhapet në botë e të rrezatojë në jetën e mbarë shoqërisë. Papa, në Mesazhin e tij e lidh ngushtë fatin e familjeve me atë të Planetit. Drejton, pastaj, një thirrje për çarmatimin si dhe për ndalimin dhe zhdukjen e armëve bërthamore e, me të njëjtën urgjencë, lutet që të marrin fund dhuna shtëpiake dhe shpërdorimet mbi gratë e të miturit. E, duke i bërë jehonë fjalëve të  Shën Terezinës së Krishtit Fëmijë, fton për ta mbrojtur paqen përmes gjesteve të përditshme, me të cilat e thërmojmë logjikën e dhunës, të shfrytëzimit, të egoizmit.

Kisha do ta shoqërojë çdo përpjekje për ta ndërtuar paqen

Në pjesën përfundimtare të mesazhit, Françesku shkruan se ndërtimi i paqes përmes mospërdorimit të dhunës aktive, është element i nevojshëm dhe në përkim me përpjekjet e vazhdueshme të Kishës për ta kufizuar përdorimin e forcës. Vetë Jezusi - shkruan - me Fjalimin e Lumnive na ofron “një doracak”, që na mëson sesi duhet ndërtuar paqja.  Ky - vijon - është edhe program e sfidë për liderët politikë e fetarë, si dhe për drejtuesit e institucioneve ndërkombëtare. Mospëdorimi aktiv i dhunës - nënvizon -  është mënyrë që dëshmon se uniteti është me të vërtetë më i fuqishëm e më i frytshëm, sesa konflikti. Papa siguron, kështu, se Kisha  katolike do ta shoqërojë çdo përpjekje për ndërtimin e paqes edhe përmes mospërdorimit aktiv e krijues të dhunës. Një angazhim, ky, që - vëren - fuqizohet edhe me lindjen e dikasterit të ri për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor. “Çdo veprim në këtë drejtim, sado modest që të jetë - shton - kontribuon për të ndërtuar një botë të çliruar nga dhuna, hap i parë ky, që të çon në rrugën e drejtësisë e të paqes”.

T’i lutemi Marisë të na prijë për të qenë artizanë të paqes.

Mesazhi, që mban datën 8 dhjetor - Solemnieti i Zojës së Zënë pa Mëkat - përfundon me një lutje drejtuar Marisë që t’u prijë njerëzve vullnetmirë. Në vitin 2017 - fton Papa - të impenjohemi me lutje e me aksion për t’u bërë njerëz që e kanë zhdukur dhunën:
 “Asgjë nuk është e pamundur, nëse i drejtohemi Zotit në lutje. Të gjithë mund të jenë artizanë të paqes”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.