2016-12-28 11:40:00

Papa: urime për një vit të ri të shenjtë e të lumtur


“Falënderoj Zotit për gjithë atë që na ka dhënë gjatë këtij viti që po mbyllet. Ju uroj një vit të ri të shenjtë e të lumtur”. Me këto fjalë Papa Françesku iu drejtua shtegtarëve, që sot paradite  e mbushnin përlot Sallën Nervi në Vatikan, për audiencën e përgjithshme të së mërkurës. “Me ndihmën e Virgjërës Mari, Zoti – shtoi Papa Françesku – na ruajtë e mbajtë në shpresën e realizimit të premtimeve të tij, të bindur në fe e përherë të vëmendshëm ndaj nevojave që kanë vëllezërit tanë”.

Në Audiencën e Përgjithshme të fundit të këtij viti 2016, Papa Bergoglio foli mbi Abrahamin, atin tonë në fe e në shpresë, pra foli për shpresën e krishterë, shpjegoi domethënien e besimit në Zotin, u ndal mbi dialogun ndërmjet Abrahamit e Hyjit, i cili për t’i premtuar trashëgues të shumtë  “ e bëri të dalë jashtë tendës, në realitet jashtë vizioneve të tij të ngushta, dhe i tregoi yjet”. “Për të besuar – shpjegoi Papa – është e domosdoshme të dish të shikosh me sytë e fesë; jo vetëm yjet, që mund t’i shohin të gjithë, e yjet për Abrahamin u bënë shenjë e besnikërisë së Zotit”. “ Kjo është – përfundoi Papa – feja, kjo ecja, kjo udha e shpresës të cilën çdonjëri prej nesh duhet ta përshkojë. Edhe nëse neve na mbetët si e vetmja mundësi, ajo e vështrimit të yjeve, do të thotë se atëherë ka ardhur koha për t’u mbështetur në Zotin, për të besuar në Hyjin. E nuk ka gjë më të bukur se këtë”.

Ja fragmenti biblik nga libri i Zanafillës 15,3-6, që u komentua nga Papa Françesku gjatë katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme, e fundit e këtij viti:

Dhe Abrahami vazhdoi: “Qe, po sheh se nuk më dhe pasardhës dhe ja, një rob i shtëpisë do të më trashëgojë.” Atëherë Zoti i tha këto fjalë: “Ky nuk do të jetë, trashëgimtari yt do të jetë pinjolli yt që do të rrjedhë prej teje”. Zoti e bëri të dalë jashtë dhe i tha: “Shikoje qiellin dhe numëroj yjet, po munde!” Dhe shtoi: “Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu.








All the contents on this site are copyrighted ©.