2016-12-28 12:36:00

Audienca e përgjithshme: t’i ankohesh Zotit është mënyrë lutjeje


Papa Françesku mbajti sot paradite, në Sallën e Palit VI, audiencën e fundit të përgjithshme të vitit, duke vijuar katekizmin kushtuar temës të shpresës së krishterë. Në qendër të reflektimit të tij, feja e Abrahamit, që i ankohej Zotit: po kjo ishte mënyrë për t’iu lutur. Po botojmë në vijim, tekstin:

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita!

Shën Pali, në Letrën drejtuar Romakëve, na kujton figurën e madhe të Abrahamit, për të na treguar rrugën e fesë e të shpresës, që është në kundërshtim me çdo shpresë. Për të Apostulli shkruan: “Ai besoi i patundur në shpresën, duke shpresuar kundër çdo shprese (Rom 4,18). Shën Pali e ka fjalën për fenë, me të cilën Abrahami i besoi fjalës së Zotit, që i premtonte një fëmijë. Po kjo do të thoshte vërtet të shpresoje kundër çdo shprese, aq e pamundur dukej çka po i kumtonte Zoti, sepse ai ishte i motuar, ndërsa e shoqja, beronjë.

Duke besuar në këtë premtim, Abrahami u vu për udhë, pranoi ta linte dheun e tij e të bëhej i huaj, duke shpresuar në këtë bir “të pamundur”,  që Zoti do të dëshironte t’ia dhuronte, pavarësisht se prehëri i Sarës ishte tashmë i tharë, si të qe i vdekur. Megjithatë, Abrahami beson! Feja e tij i hap udhën e një shprese në dukje krejt të paarsyeshme: e kjo është aftësia për të shkuar përtej arsyetimeve njerëzore, përtej urtisë e maturisë së botës, përtej gjithë asaj, që bota e quan gjykim i shëndoshë, për të besuar në të pamundurën. Shpresa të hap horizonte të reja, të bën të aftë të ëndërrosh  të papërfytyrueshmen. Shpresa të bën të shkelësh në errësirën e një ardhmërie të paqartë, për të dalë një ditë në dritë.

Po është udhë tejet e vështirë. E mbërrin, edhe për Abrahamin, një çast  krize e shqetësimi. Besoi, u nis, arriti në vendin që ia kishte treguar vetë Zoti, koha kaloi e djali nuk erdhi, prehëri i Sarës mbeti i thatë, i mbyllur për jetën e re, aq të pritur.

Atëherë Abrahami zuri të ankohet para Zotit: “O Zot, Hyj, unë po shkoj i shuar, pa pasardhës e trashëgimtari i shtëpisë sime do të jetë Eliezeri prej Damaskut”. Shtoi Abrahami: “Ja, po e sheh se nuk më dhe pasardhës e një rob i shtëpisë do të jetë trashëgimtari im”.

Atëherë Zoti i gjegji: “Ky nuk do të jetë! Trashëgimtari yt do të jetë pinjolli yt që do të rrjedhë prej teje”. Zoti e bëri të dalë jashtë dhe i tha: “Shikoje qiellin dhe numëroji yjet, po munde”. Dhe shtoi: “Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu”. Abrahami i besoi Zotit dhe iu çmua për drejtësi (Zan 15.2-16).

Kjo skenë zhvillohet në terr. Jashtë është errësira e natës, por edhe në zemrën e Abrahamit dyndet errësira e zhgënjimit, e çkurajimit, e vështirësisë për të vijuar të shpresojë në diçka, që duket krejt e pamundur. Tashmë patriarku është tepër i shtyrë në mote, duket se nuk i mbetet më kohë për të nxjerrë në dritë një djalë, e se do të jetë pikërisht shërbëtori, ai që do ta trashëgojë gjithë mundin e djersën e jetës së tij të gjatë.

Abrahami vijon t’i drejtohet Zotit, por Hyji, edhe pse është aty, i pranishëm e flet me të, duket si të ishte larguar, sikur nuk po e mbante premtimin e dhënë, fjalën e thënë, besën e lidhur. Atëhere Abrahami ndjehet i vetmuar. I vjetër. I lodhur. Me vdekjen, që i peshon mbi të gjitha gjymtyrët. E si mund të vijojë të besojë?

E pra edhe ky ankim i tij është formë feje! Abrahami vijon të besojë në Zotin e të shpresojë se diçka do të ndodhte patjetër. Përndryshe pse do t’i fliste kështu Zotit, duke u ankuar me Të e duke ia kujtuar premtimet? Feja nuk është vetëm heshtje, që pranon gjithçka, pa u ankuar kurrë; shpresa nuk është siguri, që të bën të ndjehesh i sigurt, larg çdo dyshimi e mëdyshjeje. Fe do të thotë edhe të luftosh me Zotin, duke i shprehur hidhërimin tënd, pa  u shtirë. E shpresë është edhe të mos kesh frikë. Ta shikosh sy në sy realitetin ashtu siç është e ta pranosh, me gjithë kundërshtitë e tij.

Abrahami, pra, në fe, i drejtohet Zotit e i lutet ta ndihmojë të shpresojë gjithnjë… E Zoti vijon  t’i gjegjet se trashëgimtar nuk do të jetë shërbëtori, por pikërisht i biri, i lindur prej tij. Asgjë nuk ka ndryshuar nga ana e Zotit, Ai vijon të ripohojë çka kishte thënë e nuk ia dredh fjalën Abrahamit, për ta siguruar. Siguria e tij e vetme është t’i besojë fjalës së Zotit e të vijojë të shpresojë.

Kjo, pra, është shenja, që Zoti i dhuron Abrahamit: të besojë e të shpresojë: “Shikoje qiellin dhe numëroji yjet […] Kështu do të jenë trashëgimtarët e tu” (Zan 15,5). Është një tjetër premtim ky. Është akoma diçka që pritet për të ardhmen. Zoti e nxjerr Abrahamin jashtë çadrës, domethënë jashtë vizioneve të tij të ngushta e i tregon yjet, pafundësinë. Për të besuar, është e nevojshme të dish të shikosh me sytë e fesë: janë thjesht yje, që të gjithë mund t’i shikojnë, por për Abrahamin duhet të bëhen shenjë e besnikërisë së Zotit.

E kjo është feja, kjo, udha e shpresës, që duhet ta përshkojë secili nga ne. Nëse edhe për ne e vetmja mundësi që na mbetet, është të shikojmë yjet  atëhere është koha t’i besojmë Zotit.  E gjë më të bukur nuk ka! Shpresa nuk të zhgënjen kurrë!








All the contents on this site are copyrighted ©.