2016-12-27 14:21:00

Papa, të rinjve të Taizé-së: e keqja nuk e thotë fjalën e fundit


“Ta tregojmë me fjalë e me vepra se e keqja nuk e thotë fjalën e fundit në historinë tonë”. Është kjo, ftesa e Papës Françesku, në mesazhin për të rinjtë e bashkësisë së Taizé-së, të cilët, nga 28 dhjetori deri më 1 janar, do të mblidhen në Riga të Letonisë, për Takimin e 39-të Evropian të fundvitit. Tema e sivjetme: “Së bashku, për të hapur udhët e shpresës”. Kujtojmë se edhe të rinjtë shqiptarë marrin pjesë vit për vit në këtë Takim, përveçse kalojnë, gjatë verës, një javë në lutje me bashkësinë ekumenike të themeluar nga frere Roger në jug të Francës.

Janë tashmë mijëra, të rinjtë evropianë, por edhe nga kontinentet e tjera, që po mbërrijnë vazhdimisht në Rigë, qytet i traditës luterane, i cili karakterizohet nga lidhje të thella ndërmjet të krishterëve të të gjitha konfesioneve. Janë “dëshmitarë të shpresës”, siç i quan Papa në mesazh, në të cilin i falenderon, sepse – shkruan – kanë vendosur t’i lënë divanet për të jetuar këtë shtegtim feje, “fe në Jezusin, Krisht e Zot”, që “beson e shpreson në ju”, u thotë të rinjve.

Ortodoksë, protestantë e katolikë, Ati i Shenjtë i inkurajon të gjithë ta lejojnë Zotin, që nuk zhgënjen kurrë, të hyjë në zemrat e në jetën e tyre, për ta përballuar të ardhmen me gëzim e për të shfrytëzuar aftësitë e talentet rinore për të mirën e përbashkët. “Në këto ditë të jetuara në shenjën e vëllazërimit të vërtetë – shton Papa në mesazh – ju shprehni dëshirën për të qenë protagonistë të historisë, për të mos i lejuar të tjerët të vendosin për të ardhmen tuaj”.

“Sot – vë në dukje Ati i Shenjtë Bergoglio – shumë njerëz janë të shqetësuar, të shkurajuar nga dhuna, padrejtësitë, vuajtjet e ndarjet. Kanë përshtypjen se e keqja është më e fortë se gjithçka”. Prandaj, i fton të rinjtë të dëshmojnë me fjalë e me vepra se nuk është kështu. Papa u thekson atyre, që po mblidhen në Rigë, atë që pati shkruar në përfundim të Jubileut, në Letrën “Misericordia et Misera”: “Është koha e mëshirës për të gjithë e për secilin, që askush të mos mendojë se është i huaj për Zotin e për pushtetin e dhembshurisë së Tij”.

Me fjalët e Françeskut për të rinjtë në shtegtim bashkohen edhe mesazhet e Patriarkut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu e të Patriarkut ortodoks të Moskës, Kirill, si edhe afërsia e shprehur nga krerët e Kishës anglikane dhe luterane, kryeipeshkvi Justin Welby e pastori Olav Fykse Tveit. Këtë takim e shohin me shpresë autoritetet evropiane dhe botërore. Ish-Sekretari i OKB-së, Ban Ki-moon dhe kryetari i këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk, nënvizojnë në mesazhet e tyre, sa shumë kanë rëndësi të rinjtë për t’u dhënë shtysë forcave të së mirës, shumë më tepër se sa mundësitë në duart e politikës.








All the contents on this site are copyrighted ©.