2016-12-25 12:30:00

Mesazhi Urbi et Orbi i Papës Françesku


Të dashur vëllezër e motra, për shumë mot Krishtlindjen!

         Sot, Kisha rijeton mahnitjen e Virgjërës Mari, të shën Jozefit e të barinjve të Betlehemit, duke kundruar Foshnjën, që lindi në një grazhd: Jezusin, Shëlbuesin.

         Në këtë ditë plot dritë, tingëllon sërish kumtimi profetik:

“Na lindi një foshnjë,

fituam një djalë.

Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë.

Për emër do të quhet:

Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë,

Atë i amshueshëm, Princ i Paqes” (Is 9,5).

         Pushteti i kësaj Foshnjeje, Bir i Zotit e i Marisë, nuk është pushtet i kësaj bote, bazuar mbi forcën e mbi pasurinë; është pushteti i dashurisë. Është pushteti, që krijoi qiellin e tokën, që i jep jetë çdo krijese: mineraleve(tokës), bimëve, kafshëve; është forca që tërheq burrin e gruan dhe i bën një trup të vetëm, një ekzistencë të vetme; është pushteti që lind jetën, që fal fajet, që pajton armiqtë, që e shndërron të keqen në të mirë. Është pushteti i Zotit. Ky pushtet i dashurisë e çoi Jezu Krishtin të zhvishet nga lavdia e Tij e të bëhet njeri; e drejtoi më pas të japë jetën në kryq e të ngjallet së vdekurish. Është pushteti i shërbimit, që vendos në botë themelet e mbretërisë së Hyjit, mbretëri drejtësie dhe paqeje.

         Prandaj, lindja e Jezusit shoqërohet me këngën e engjëjve, që kumtojnë:

“Lavdi Hyjit në më të lartin qiell

e paqe mbi tokë njerëzve,

që i ka për zemër!” (Lk 2,14).

         Sot, ky kumt përshkon krejt tokën e dëshiron të arrijë tek të gjithë popujt, sidomos tek ata, që janë të plagosur nga lufta e nga konflikte të ashpra dhe e ndjejnë më fort dëshirën për paqe.

         Paqe, burrave e grave të Sirisë së martirizuar, ku është derdhur tepër gjak. Sidomos në qytetin e Halebit, teatër i njërës prej betejave më barbare gjatë javëve të fundit, është urgjente më shumë se kurrë  që, duke respektuar të drejtën humanitare, t’i garantohet ndihmë dhe ngushëllim popullsisë civile të rraskapitur, e cila akoma vuan në një gjendje të dëshpëruar, me mundime e mjerim të madh. Është koha të heshtin armët një herë e përgjithmonë e bashkësia ndërkombëtare të impenjohet aktivisht për arritjen e zgjidhjes me bisedime që të rivendoset bashkëjetesa civile në vend.

         Paqe, burrave dhe grave të së dashurës Tokë Shenjte, zgjedhur e paracaktuar nga Zoti. Izraelitët e palestinezët të kenë guximin dhe vendosmërinë për të shkruar një faqe të re në histori, në të cilën urrejtja dhe hakmarrja t’ia lënë vendin vullnetit për të ndërtuar së bashku një të ardhme në mirëkuptim e harmoni të ndërsjelltë. Dhashtë Zoti të gjejnë bashkimin e pajtimin Iraku, Libia dhe Jemeni, ku popullsitë vuajnë nga lufta dhe nga akte brutale terroriste.

         Paqe, burrave dhe grave të rajoneve të ndryshme të Afrikës, sidomos në Nigeri, ku terrorizmi fundamentalist shfrytëzon edhe fëmijët për të përhapur tmerr dhe vdekje. Paqe në Sudanin Jugor e në Republikën Demokratike të Kongos, që të kapërcehen ndarjet e të gjithë njerëzit vullnetmirë të punojnë për të nisur një udhë zhvillimi e bashkëpunimi, duke parapëlqyer kulturën e dialogut në vend të logjikës së ndeshjes.

        Paqe, burrave dhe grave, që edhe sot, vuajnë nga pasojat e konfliktit në Ukrainën lindore, ku ndjehet urgjenca e vullnetit të përbashkët për ta lehtësuar popullsinë e për të venë në jetë impenjimet e marra.

         Mirëkuptim i kërkojmë Hyjit për popullin e dashur kolumbian, që synon të ndërmarrë një udhë të re e të guximshme dialogu e pajtimi. Ky guxim të nxisë edhe Venezuelën e dashur të bëjë hapat e nevojshme për t’u dhënë fund tensioneve aktuale dhe për të ndërtuar së bashku një të ardhme me shpresë për të gjithë popullsinë.

         Paqe, atyre, që në zona të ndryshme, po përballojnë vuajtje, për shkak të rreziqeve të vazhdueshme e padrejtësive të përhershme. Mianmari konsolidoftë përpjekjet për favorizimin e bashkëjetesës paqësore e, më ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, u dhashtë mbrojtjen e nevojshme dhe ndihmën humanitare atyre, që kanë nevojë të ngutshme e serioze për të. Gadishulli korean kapërceftë tensionet që e përshkojnë, me fyrmë të përtërirë bashkëpunimi.

         Paqe, kujt i është brengosur zemra e kujt ka humbur njeriun e dashur, për shkak të akteve mizore të terrorizmit, që kanë mbjellë frikë e vdekje në zemër të shumë vendeve e qyteteve. Paqe – jo me fjalë, por me fakte konkrete – për vëllezërit e motrat tona të braktisura e të mënjanuara, për ata që kanë uri e për viktimat e dhunës. Paqe për azilkërkuesit, emigrantët e refugjatët, për ata, që janë objekte të trafikut të njerëzve. Paqe për popujt, që vuajnë nga ambiciet ekonomike të pak vetëve e nga lakmia e babëzitur e zotit-para, që sjell skllavëri. Paqe, të prekurve nga mjerimi shoqëror dhe ekonomik, të munduarve nga pasojat e tërmeteve, ose të fatkeqësive të tjera natyrore.

         E paqe fëmijëve, në këtë ditë të veçantë, në të cilën Hyji bëhet fëmijë, [paqe], sidomos atyre, që privohen nga gëzimet e fëmijërisë, për shkak të urisë, luftës dhe egoizmit të të rriturve.

         Paqe në tokë të gjithë njerëzve vullnetmirë, që çdo ditë punojnë, me maturi e durim, në familje e në shoqëri, për të ndërtuar një botë më njerëzore e më të drejtë, të mbështetur nga bindja se vetëm me paqen ekziston mundësia për një të ardhme më të begatë për të gjithë.

         Të dashur vëllezër e motra,

         “Na lindi një foshnjë, fituam një djalë”: është “Princi i paqes”. Ta mirëpresim!

 

[pas bekimit]

         Ju uroj juve, të dashur vëllezër e motra, ardhur nga çdo anë e botës në këtë Shesh, si edhe të gjithë juve, që nga vende të ndryshme, jeni lidhur përmes radios, televizionit dhe mjeteve të tjera të komunikimit.

         Në këtë ditë gëzimi jemi të thirrur të gjithë të kundrojmë Jezusin Fëmijë, që i jep shpresë çdo njeriu mbi faqen e tokës. Me hirin e Tij, t’i japim zë e ta bëjmë të prekshme këtë shpresë, duke dëshmuar solidaritetin e paqen. Për shumë mot Krishtlindjen të gjithëve!








All the contents on this site are copyrighted ©.