2016-12-24 11:44:00

Pesë fjalët e Krishtlindjes së Françeskut


Edhe sivjet, Papa Françesku nuk deshi të na lërë pa një dhuratë, ne, që vijojmë të kërkojmë dhurata për njerëzit e dashur, duke i shoqëruar dhuratat e zemrës, me bileta e kartolina plot fjalë, edhe ato, dalë nga zemra. E Papa, me dhuratën e tij prej pesë fjalësh, na kujton edhe një herë se është gjithnjë pranë nesh, jo vetëm si prijës i shpirtit, por edhe i së përditshmes sonë.

Fjala e parë, Familja: në qendër të Krishtlindjes është gjithnjë familja – na kujton Papa – Ta jetojmë, pra, edhe këtë Krishtlindje në familje, duke provuar t’i harrojmë pakënaqësitë e keqkuptimet, për të shijuar me fund kënaqësinë e kremtimit së bashku e për t’i ndarë, edhe pas festës, së bashku, të mirat e të vështirat e jetës.

Vetmohimi: të përfitojmë nga kjo kohë, për të hequr dorë nga diçka, ndoshta pikërisht nga dhurata, që e dëshronim kahmot. E t’ia dhurojmë këtë ‘diçka’, atij që është më pak fatlum se ne.

Meditimi: të flasësh për heshtje, në këtë kohë fjalësh, duket si paradoks i vërtetë. Ndërsa pikërisht heshtja krijon gjendjen e përshtatshme shpirtërore, që na ndihmon të krijojmë atmosferën e pritjes: “Krishtlindja zakonisht është festë e zhurmshme; por do të na bënte mirë edhe pakëz heshtje, për të dëgjuar zërin e dashurisë”.

Lutja: Françesku na e kujton shpesh: “Lutja është koha e Zotit, dalje nga ankthi i një jete, së cilës i mungon gjithnjë koha, rigjetje e paqes së sendeve të nevojshme e zbulim i gëzimit të dhuratave të papritura.

Ungjilli: “Mos harroni ta mbani Ungjillin në xhep a në çantë: do t’ju bëjë mirë!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.