2016-12-24 13:30:00

Nata e Shenjtë e Krishtlindjes me Papën Françesku


Është Nata e Shenjtë, sonte. Mesnata më tingëlluese e gjithë vitit, e mbushur me tinguj këmbanash, me këngë Engjëjsh e njerëzish. Natë, që na kujton posaçërisht kulmin e kremtimeve në botën katolike, Meshën e kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, me Papën, me Ungjillin me ritet, me këngët, që na çojnë shpirtërisht në Shpellën e Betlehemit, 2000 vjet më parë...

Djepi:

Ora 21.30: Mesha fillon! Gjithçka është e rëndësishme në këtë Natë, e gjithçka sillet rreth një djepi, ku prehet shtatorja e një Foshnjeje të posalindur, me madhësi natyrore. E është çast thellësisht prekës ta shikosh Papën Françesku përballë djepit. Ndërsa Foshnja duket sikur e shikon në sy Papën e edhe bashkësinë e besimtarëve, në Bazilikën përplot. Mbi djep është vendosur Ungjilli i hapur në faqen ku shën Luka rrëfen si ndodhi lindja e Krishtit. Nis Mesha e Natës Shenjte

Kënga që dëgjohet vetëm një herë në Vit

Gjatë kremtimit këndohet një këngë, që dëgjohet një herë në vit: një nga koristët intonon tekstin në gjuhën latine: është Kalenda (mesha kremtohet latinisht e  italisht) kumtimi i kënduar i lindjes së Jezusit, të cilën natyrisht nuk do ta dëgjojmë më deri në Krishtlindjen e ardhshme.

“Këngëtari kumton lindjen historike të Shëlbuesit:

25 dhjetor, Hëna e gjashtëmbëdhjetë;

Kishin kaluar shumë shekuj nga krijimi i botës, kur në zanafillë Hyji pati krijuar qiellin e tokën e pati bërë njeriun, sipas shembëlltyrës së vet;

E shumë shekuj që kur, pas përmbytjes, i Tejetlarti kishte bërë të shkëlqente ylberin, shenjë e besëlidhjes e e paqes...- vijon kënga, për të dhënë, në përfundim, kumtim më të madh që dëgjoi ndonjëherë njerëzimi:

...Në vitin e 42-të të perandorisë së Qesarit Oktavian Augusti;

kur mbi gjithë botë mbretëronte paqja, Jezu Krishti, Hyj i amshuar e Bir i Atit të amshuar, duke dashur ta shenjtëronte botën me ardhjen e Tij, si u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt e si kaluan nëntë muaj, lindi në Betlehem të Judës nga Virgjëra Mari, e u bë njeri.

Është Lindja e Zotit tonë, Jezu Krishtit, sipas natyrës njerëzore.

Homelia:

Në orën 22. 15, Papa do të mbajë homelinë nga Elteri i Dëshmisë, pas së cilës, një çast reflektimi e lutjeje në heshtje, për të vijuar me Besojmën e kënduar dhe me lutjen e besimtarëve në gjuhë të ndryshme.

Kremtim i kënduar

Riti i Kungimit hapet me Atynën e kënduar në latinisht, për të shkëmbyer më pas, shenjën e paqes. Këndohet Agnus Dei dhe, për të shoqëruar radhën e gjatë të besimtarëve që marrin kungimin, intonohet e vijon deri në fund, kënga tradicionale “Astro del ciel “ – “Flej o Qielluer”.

Lutja

Lutja na çon simbolikisht në të katër anët e botës. Tingëllojnë në Bazilikën e Kombeve, dëshirat e mbarë popujve, në gjuhët e veta, drejtuar të vetmit Zot të universit: Jezu Krishtit!

Në gjuhën kineze besimtarët do të luten që Kisha ta ruajë gjithnjë pastërtinë e fesë dhe të jetë shtëpi mikpritëse për çdo njeri, që kërkon gëzimin e vërtetë; në gjuhën frënge, lutja për qeveritarët, që të punojnë për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë; në arabisht, lutja për ata, të cilët jetojnë në errësirën e mëkatit e të gabimit, që drita e Krishtit të mishëruar ta mundë natën e zemrës së tyre e t’u tregojë bukurinë e bashkimit me Zotin;  në malayam, lutja për fëmijët, që jeta e tyre të ruhet  e pastër; e, së fundi, në gjuhën ruse, lutja për të varfërit dhe njerëzit e vetmuar, që Emmanueli, i pranishëm në korpin e një foshnjeje, t’i ngushëllojë në çastet e vuajtjes e t’i bëjë ta ndjejnë veten të çmuar para syve të Atit.

Përfundimi

Pas orës 23.00, në përfundim të lutjes, që ndjek Kungimin, Papa vë përsëri mitrën  dhe jep bekimin e fundit në latinisht. Një diakon intonon përshëndetjen përfundimtare “Ite Missa est”. Kori i gjegjet: “Alma Redemptoris Mater”.

E përshpejtuam atë, që do të mund ta ndiqni sonte në mjetet e ndryshme të komunikimit: Meshën e Natës Shenjte, në Bazilikën e Vatikanit, duke e kaluar një pjesë të kësaj Nate, me Krishtin e sapolindur, përmes Meshës së Papës Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.