2016-12-24 17:53:00

Filloi në Betlehem, Krishtlindja e Tokës Shenjte!


Atmosferë gëzimi në Tokën Shenjte për festën e Krishtlindjes. Sot, hyrja e imzot Pizzaballës në Bazilikën e Lindjes së Krishtit, në Betlehem.

Krisma lodrash e fishkëllima gajdesh jehojnë kudo në Tokën Shenjte: janë shenjat e mikpritjes së mysafirëve me rastin e solemnitetit. Nuk mungojnë kurrë në këtë Natë të Madhe, në të cilën kryeipeshkvi, që kryeson Patriarkatin Latin të Jeruzalemit, hyn solemnisht në Bazilikën e Lindjes së Krishtit, duke dhënë shenjën e fillimit të kremtimeve të Betlehemit, i pritur - sipas ritualit të statusit në fuqi - ndër shenjtëroret e përbashkëta të klerit armen e ortodoks. Imzot Pizzaballa tashmë ka hyrë në Bazilikë, vetëm 10 kilometra larg nga Qyteti Shenjt, ku sonte nis festa e “Hanukka-s”, festë e dritës. Ndërkaq përtej murit të ndarjes së Betlehemit, filluan kremtimet e Krishtlindjes, me manifestime civile, në të cilat marrin pjesë qindra fëmijë e të rinj të krishterë e myslimanë: një aradhe e pafundme skautësh me gajde e lodra, e cila e priti administratorin apostolik, që arriti nga Patriarkati, i ndjekur pas prej varganit të shoqëruesve, duke u ndaluar gjatë rrugës në manastirin ortodoks të Mar Elias për të përshëndetur komitetin e të krishterëve vendas. Pastaj kalimi  tek Varri i Rakeles, i hapur vetëm për raste si ky, një enklavë brenda murit, që ndan Betlehemin nga Izraeli.

Në takimin për shkëmbimin e urimeve me përfaqësuesit e bashkësisë së vogël latine të Jeruzalemit, imzot Pizzaballa shprehu kënaqësinë e tij që mundi të hyjë i shoqëruar nga Jeruzalemi në Betlehem, shenjë që tregon se dy bashkësitë janë të bashkuara; e kjo traditë - theksoi - dëshmon se në këtë tokë  jeton ende një bashkësi e krishterë!

Në Sheshin e Grazhdit imzot Pizzaballa do të kremtojë Meshën pontifikale, në të cilën pritet të marrë pjesë Mahmoud Abbas. Për këtë Meshë të krishterëve të Gazës iu lëshuan 600 leje kalimi, që të mund ta kremtojnë Krishtlindjen aty ku lindi Zoti.

Qyteza e vogël, Betlehemi, është përsëri sot në zemër të botës: zbukurime, vizitorë, shtegtarë, sjellin atmosferën e gëzimit, në një realitet të izoluar e me shumë vështirësi ekonomike. Klima e festës e bashkon popullsinë me shumicë myslimane rreth Bazilikës të Lindjes së Krishtit.

Në Sheshin e Grazhdit pakica katolike bie shumë në sy në këtë Natë të Madhe. Nuk mund të jetë ndryshe: kremton sonte lindjen e Krishtit, Zotit të vet!








All the contents on this site are copyrighted ©.