2016-12-23 14:57:00

Krishtlindja në letërsinë shqipe të traditës. Ernest Koliqi: “Fjala qet fjalën” (4)


Ndërsa Kshndellat trokasin tashmë në portat tona, ne po vijojmë ta kujtojmë ardhjen e madhe me syzimet e Ernest Koliqit, shkëputur nga Revista “Shêjzat”, vjeti VI – n.11-12 Nanduer-Dhetuer 1963, titulluar “Fjala qet fjalën”. Sot “Këshndella në Damask”:        

“Para do vjetvet Këshndellat më zûne në Damask (Sham), derë e madhe e Lindjes mysterjoze. Nji ndër miq të zgjedhun shqiptarë qi kishem pranë, Koço M., ndiente për së forti, sidomos n’avitje të festave, largimin nga njerzit e vet. Burrë i rysun në flakim të zakoneve shqiptare, mshefte në vetvete ndiesít mâ të shtrêjta. Por heshtjet e zgjatuna të tij, ndër shetitje gjatë udhave të Damaskut, më lêjshin me i a hetue pësimin e ndrŷm shpirtnuer. Nji ditë qiti e më tha, papritmas: “Erdhne Këshëndellat… Pak dit mungojnë. E din shka bâjmë? Palestinën prej këndej e kemi afër. Shkojmë e i lusim Këshendellat në Betlem…”.

 Ky mendim i tij më shkoi fort për shtat. Por të nesërmen, kur i a behme në Konsullatën e Britanís së Madhe për vizë, Konsulli, qi na priti me shum njerzí, na tha: “Gatí jam t’i u lëshoj vizat qi lypni, por… e ndiej detyrën t’i u kumtoj se udhat prej këndej e në Betlem vlojnë me ushtrina e e çeta t’armatosuna. Nuk zotohem m’u këshillue kët udhtim…”. Mbas pak kohe krisi lufta në mes Harapvet dhe Izraelit. Na i u shtruem këshillit miqsuer të Konsullit e kështu na shpëtoi ajo rasë e volitshëme me fitue haxhillekun në Palestinë.

Sa mâ fort aviteshin ditt e festavet të bardha aq mâ tepër zymnohej në shpirt miku i em Koçoja. I u këndonte ndër sŷ malli dermues. Përkundrazi mue mallëngjimi, qi më pat kapë s’pari tue mendue se ishem dy herë i mërguem, aty në Damask, nji herë prej Shqipnís e nji herë tjetër nga banesa e ime e Italís, ku kishem familjen, shpejt m’u largue. Kush mund t’i a mbushte mendën vetes se po afrohen Këshëndellat në prendverën e përhershëme të Damaskut? Këshëndellat, në mende t’onë, janë kremte dimnore. Borë e të ftoftë……votra me cung lisi qi kërset e qet shkëndija tue u djegë në votër… Aty nji qiell i lum, vazhdimisht i zgalitun e i zvilatun ndritte mbi qytet madhënuer kunorue me minare si andrra të bukura, kryeverpa mermeri të qindisun. Në kaltherim flakrojshin hove hove tuba pullumbash të bardhë qi rravizojshin fluturime t’epera rrotullake. Lulishtat harliseshin me lule ngjyrje aqë të gjallë saqí i kujtoshe të piksueme. Kurrkund nuk ndiejshem atmosferë Këshndellash…

 Natën e Kremtes krahëthati Koço m’u lut t’a përsiellshem me pá Meshën e mjesnatës. Na u shoque edhe miku Ragip Fr. Duelme nga Hoteli i Omayadvet, ku banojshim, e i u futme labirintit t’udhavet të Damaskut, fatalumas, në kërkesë të njâj kishe ku të çohej meshë në mjesnatë. Ecëshim nëpër rruga dredha dredha e të ngushta, mbyllë anash nga vargje muresh të nalta, të cilat mprojnë prej kureshtës së kalimtarvet ndertesa të begatëshme me rrjeshta dhomash plot punime daltash mjeshtrore shtrue me halija të çmueshme dhe hapë mbi lulishta me vullâj të lulzuem e me çezme shushuritëse ujnash të kulluet. Unë e Ragipi i njifshim ato shtëpija qi ruejnë bukurít hajmitëse të vetat ashtu si grát e Lindjes mëshefin hiret e njoma nën ferexhe: para do ditve kishim pasë rasën të hŷjmë në nji ndër to. Tue ecë, n’at gjymsaterr, ku pluskonte ari i nji hâne qí nuk e shifshim pse mshehej mbas mureve, njimtimi (séduction) andërr-dhurues i Lindjes, qi fton m’u hjedhë ndër andrrime prallore, na robnoi. Tekembramja e gjetme nji kishë, por nuk kuptuem ç’farë feje e ç’farë rriti ishte. Hŷmë e na mori sýt nji plotní ndriçimesh e dritash e stolinash. Atjè ke ikonostaza nji aradhe metropolitash e dhespotash, në një shkelqim ari e púrpuri e cohe në ngjyrë vjollze plot qindisje, levizëshin madhnisht nëpër zhvillime të ceremonive kishtare. Nji kor i zgjedhun, në zânet e të cilit më bâjshin përshtypje disa lakime motivesh muzikore qi i gitshin mekameve t’ona, përsiellte celebrimin e meshës. Kisha ishte e mbushun me nji morí njerzije e cila ndiqte me përshpirtní të madhe rritin fetar. Mendoj se ishim në nji kishë maronite. Fillova me ndie frymën e Këshëndellavet, të do Këshëndellavet të nji trajte së panjoftun, por kejèt përmalluese.

Tymi i kêmit më therte pëlqyeshëm flegurat e húndës. Valavitja e zânave të korit më nxitte në rrëmbime mystike. Nji dhjakon me Ungjill ndër duer u shkëput nga aradhja e prelatvet celebruesa e u përshkue gjatë kishës i paraprîm nga nji kryq i naltë rrethue në shênjë nderimi ne nji tubë kafazash veshë me shallvarë ngjyrë-uthull e xhamadana të kuq me sumbulla ari, sylahat mbushë me pistolle argjanti e i ndjekun sqimatarisht nga nji varg klerikësh. Këndoi prej predikatores pjesën e Shkrimit Shêjt qi flet për ngjarjen e madhe të Natës së Këshndellavet. E këndoi në gjuhë aramajkishte, ligjirimi qi thuhet se përdori Krishti. Shifshem se edhe Koçoja e Ragipi ishin të prekun nga poezija depërtuese e asaj ceremonije fetare. Ndoshta edhe ata si unë mendojshin, n’ato t’îmta gufimi shpirtnuer, se aty në Damask ndodheshim shì ndër vise të fatërta (fatales) ku u shfaqën tri besimet e mëdhaja të Mesdheut. Toka qi na rrethonte mbante endè të shkrueme në plisa të vet gjurmat e Profetvet të Mëdhej dhe n’at qiell  qi e mbulonte lëvitte gjithënji fryma e përtrîse e dhjatave të tyne”.








All the contents on this site are copyrighted ©.