2016-12-22 16:52:00

Papa përfundon urimet e Krishtlindjes për Kurien me citimin e një murgu kopt


Ati i Shenjtë Françesku e përfundoi sot fjalën drejtuar anëtarëve të Kuries Romake, që i priti në Sallën Klementine për urimet e Krishtlindjes, duke cituar një murg kopt bashkëkohor, Matta el Meskin (20 shtator 1919 – 8 qershor 2006):

Nëse për ne përvoja e fëmijërisë është e vështirë, për Ty nuk është kështu, o Bir i Zotit. Nëse ne pengohemi në rrugën, që çon drejt bashkimit me Ty, për shkak të vogëlsisë sonë, Ti je në gjendje t’i heqësh të gjitha pengesat, që nuk na lejojnë ta bëjmë këtë. E dimë se nuk do të kesh paqe deri sa të mos na gjesh të ngjashëm me Ty, pavarësisht se të vegjël. Na lejo sot, o Biri i Hyjit, t’i afrohemi zemrës sate. Na bëj dhuratë të mos besojmë se jemi të mëdhenj në jetë. Bëj të jemi të vegjël si Ti, që të jemi pranë Teje e të marrim përvuajtëri e butësi me bollëk. Mos na lë pa zbulesën Tënde, epifani e fëmijërisë tënde në zemrat tona, që me të të mjekojmë çdo krenari e çdo arrogancë. Kemi nevojë të jashtëzakonshme… që Ti të na zbulosh thjeshtësinë Tënde, duke na afruar ne, por edhe Kishën e krejt botën, pranë Teje. Bota është e lodhur dhe e rraskapitur, sepse bën garë cili është më i madh. Ka një konkurrencë të pashpirt ndërmjet qeverive, kishave, popujve, brenda familjeve, ndërmjet famullive: kush është më i madh ndër ne? Bota është plot plagë të dhimbshme, sepse sëmundja e saj më e keqe është: kush është më i madh? Por sot, e kemi gjetur në Ty ilaçin e vetëm, o Bir i Zotit. Ne dhe gjithë bota nuk do të gjejmë as shpëtim, as paqe, nëse nuk kthehemi për të të takuar sërish në grazhdin e Betlehemit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.