2016-12-22 14:21:00

Krishtlindja në letërsinë shqipe të traditës. Ernest Koliqi: “Fjala qet fjalën” (3)


Nga syzimet e Ernest Koliqit, kushtuar Krishtlindjes, shkëputur nga Revista “Shêjzat”, vjeti VI – n.11-12 Nanduer-Dhetuer 1963, titulluar “Fjala qet fjalën”, shkëputëm sot, “Krishtlindje  në mërgim”:

“Për arsyena të ndryshme, qi këtu s’e kanë vendin të rrjeshtohen, asnji popull tjetër, besoj, nuk u dënue si i yni nga fati me marrë rrugat e “gerbetit”. Nonse e vogël, Shqipnija i ka bijt e vet të shpërndám në katër kandet e dheut. Të gjithë i shporon në zêmër malli i vendlindjes. Sado i vobektë, shpesh i mbështjellun nga nji grumbull kujtimesh të zymta, çerdhe e pazoja me u dhânë rritje e gjallesë t’arsyeshme zogjve të vet, prap se prap gurt e sokakut të vendlindjes, thepi i malit, zani i prronit, zhurma e cekerkut të pusit ngjallin në shpirtin mâ harraq nji dishír të ndezun këthimi. Por edhe mërgimi dallohet në lloje të ndryshme. Kush del jashtë visit të Parvet për nji përmirsim gjallese por, sado larg t’a két hjedhë nevoja, nuk i a pengon gjâ udhën e këthimit, ai e ndien mâ pak mallin sepse e din qi mjafton t’i hypi nji vaporri ase nji avullqerrje për të këthye në gjí të qytetit a të katundit ku u lind. Trishtim kapërthyes ndrydhë përkundrazi zemrën e atíj qi nuk mund të marrë udhën e këthimit n’atdhè, sepse aty e pret nji përndjekje mizore. Ky lloj mërgimi dërmon shpirtin tue i a prè çdo mundësí shmallimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.