2016-12-22 15:13:00

Kardinali Ernest Troshani bekon popullin shqiptar nga Parlamenti i Shqipërisë.


Seanca e sotme e Parlamentit të Shqipërisë nisi ndryshe nga herët e tjera. Në Kuvendin shqiptar ishte i ftuar nderi Kardinali shqiptar, Hirësia e Tij Ernest Troshani Simoni, i cili nga foltorja e parlamentit bekoi mbarë popullin shqiptar e dha mesazhe të rëndësishme për misionin e rolin e  politikës në realitetin shoqëror të Shqipërisë.

Kardinali Troshani u bëri thirrje të gjithë deputetëve shqiptarë të mos harrojnë misionin e tyre, të vihen në shërbim të popullit e të punojnë për të mirën e përbashkët të të gjithëve, pa dallim.

Duke u lutur për paqe, vllazni e dashni, Kardinali Troshani i ftoi të gjitha partitë politike të Shqipërisë të bashkohen për të qenë më afër problemeve të qytetarëve, të popullit dhe të mos e shohin politikën si rast për një përfitim vetjak. Sipas kardinalit shqiptar, shkalla e qytetërimit të një vendi matet nga kujdesi ndaj popullit.

““Krishti ka shpallur parimin hyjnor të pavdekësisë së shpirtit. Të përpiqeni që të mos humbni shpirtin. Qëndroni më afër problemeve të popullit shqiptar, politika është shërbim dhe jo përfitim...Kam porosi atnore. Lutemi për paqen, vllazni e dashni, përpiquni që së bashku çdo njeri të shohë begati, drejtësi e bekim, te jeni më afër problemeve të popullit, politika të jetë shërbim e jo përfitim, atëherë ju do të keni respektin e njerëzve të thjeshtë që kanë besuar tek ju”, u tha mes tjerash parlamentarëve kardinal Troshani.

Emërimi si Kardinal nga Papa Françesku në tetorin e këtij viti, për dom Ernest Troshanin është një nderim që i është bërë Shqipërisë e shqiptarëve dhe më pas atij: “Papa nuk më nderoi vetëm mua, por gjithë shqiptarët, kemi punuar për ngritjen morale të shqiptarëve, edhe kur nuk kishim mjetet e tjera kemi gjetur forcë e ngushëllim. Populli ka nda kafshatën e gojës me ne e na ka ndihmue sa ka mundun” deklaroi kardinali Ernest Troshani para parlamentarëve.

Në mbyllje të fjalimit të tij, kardinal Troshani është duartrokitur nga të gjithë deputetët e pranishëm në sallë e më pas qe kryetari i Kuvendit Ilir Meta i cili e ka përcjellë kardinalin në ambientet e jashtme të Parlamentit.








All the contents on this site are copyrighted ©.