2016-12-21 13:04:00

Rai e Ctv së bashku për “Sonte në Shën Pjetër” me Alberto Angela


Vatikani, në gjithë madhështinë e sugjestionin e tij mbrëmësor… Pas suksesit të madh të “Sonte në Firence”, sonte Alberto Angela i shoqëron shikuesit e Rai 1 në një shtegtim të ri, mahnitës, përmes programit të tij “Sonte në Shën Pjetër”, nësa mbi mrekullitë që nisin të parakalojnë para syve të shtegtarit virtual, shoqëruar nga një udhërrëfyes i jashtëzakonshëm, bie dalëngadalë muzgu i praruar romak.

“Sonte në Vatikan, shtegtim ndërmjet mrekullive të Vatikanit”, mund të ndiqet në televizion në programin e parë të mbrëmjes, më 27 dhjetor 2016. Një realizim i madh - fryt i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet Rai 1 dhe Qendrës Televizive të Vatikanit - pasuruar me disa të ftuar të jashtëzakonshëm, si Giancarlo Giannini e Carlo Verdone, që shfrytëzojnë mjetet më moderne, nga teknologjia 4K HDR, tek disa regjistrime spektakolare, marrë me drone, nga efekte speciale, tek seritë e vogla televizive…gjithçka në shërbim të bashkëpunimit me Ofiçinën e Komunikimit.

Shtegtim magjepsës në viset e historisë, artit, fesë.

Alberto Angela na prin, për të na zbuluar monumente të famshme, si Kupola e Shën Pjetrit, Zoja e Dhimbshme, e njohur nga mbarë bota me emrin “Pietà”, afresket e Kapelës Sikstine e Kopshtet e Vatikanit, nësa pushtohen nga dritë-hijet e muzgut e nga qetësia e natës, që zbret dalëngadalë, për t’i mbuluar me kupën blu të qiellit qindisur me yje. Na shoqëron, pastaj, në ecjen mbi gjurmët e Michelangelo-s e të Raffael-it ende djalosh. Për të na zbuluar pastaj, edhe vende zakonisht të mbyllura për publikun, si kazerma e Rojeve Zvicerane. Është një tregim i këndshëm i historisë së gjatë të pushtetit, përshpirtërisë e mecenatizmit, që kaloi edhe çaste dramatike.  Falë teknikave  të policisë shkencore  - gati në një CSI moderne - Alberto  Angela  e  bën Qytetin e Papëve të rijetojë nën një dritë të re.

“Sonte në Muze”, program i Alberto Angelës, i drejtuar nga Gabriele Cipolliti, u shkrua nga Aldo Piro, Etra Palazzi, Carlota Ercolino, Paola Miletich, Vito Lamberti dhe Emilio Quinto.

Tani të gjithë mund të shëtisin nëpër mrekullitë e Vatikanit, duke hyrë edhe atje, ku nuk mund të hyjnë të gjithë. E edhe shqiptarët, që një gjysëm shekulli nuk guxuan as t’ia kujtojnë emrin Vatikanit, e jo më ta vizitojnë…Sepse pas ëndrrës, vinte epiteti i rrezikshëm “spiun i Vatikanit” e pak më pas, edhe prangat…

Takimi është për 27 dhjetor, rreth orës 21.00.








All the contents on this site are copyrighted ©.