2016-12-20 11:00:00

Më 20 dhjetor kalendari kishtar përkujton Shën Liberatin, martir


Pra më 20 dhjetor përkujtohet Shën Liberati, martir, konsulli romak, nga familje fisnike, pasi njohu Krishtin, hoqi dorë nga karriera, nga politika dhe nga privilegjet e klasës së tij shoqërore, për të ndjekur jetën e re të dashurisë vëllazërore. U dënua me vdekje nën mbretërimin e perandorit Klaudi Gotik, nga fundi i shekullit III. 

Në “martirologun Jeronimian” festa e shën Liberatit martir shënohet më 20 dhjetor. Kjo datë mbeti për përkujtimin e martirit edhe në “martirologun Romak”, hartuar në shekullin XVI nga historiani i madh, kardinali Cesare Baronio. Ndonëse mendohej se kishte ardhur nga Lindja, në të vërtetë shën Liberati ishte romak. Emri i tij i vërtetë ishte Liberale (italisht); Liberalis (latinisht), prej nga u përkthye gabimisht në Liberatis apo Libert, e ashtu edhe mbeti.
Reliket e shën Liberatit janë varrosur në Udhën e lashtë romake Salaria, ku pushojnë në paqe edhe dy martirë të tjerë: Gjoni e Festi.

Liberati, bir i një familjeje fisnike, ishte konsull. Si u kthye në fenë e krishterë, u dashurua me Krishtin aq, sa hoqi dorë nga karriera, nga politika, nga jeta në rrethet fisnike dhe nisi të ndjekë rrugën e re të dashurisë vëllazërore e të fesë në Zotin. Ndryshimi i tij i thellë u ra në sy të gjithëve. E arrestuan dhe e dënuan me vdekje në kohën e sundimit të Klaudios, që njihet me atributin “Gotiku” (269-270).

Një farë Flori e ngriti trupin e tij mbi një varr monumental, me shpresën se Zoti do t’ia shpërblente në jetën tjetër nderimin për shenjtërim. Varri u shkatërrua në kohën e pushtimit të Alarikut në vitin 410 pas Krishtit, por besimtari i përshpirtshëm e ndërtoi përsëri. Kujtojmë se emri Liberalis në latinisht do të thotë: “I çliruar nga skllavëria”; të krishterët e përdorën me kuptimin “I çliruar nga robëria e mëkatit, apo nga paganizmi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.