2016-12-20 13:28:00

Krishtlindja në letërsinë shqipe të traditës. Ernest Koliqi: “Fjala qet fjalën”


Në letërsinë artistike të traditës shqiptare, Krishlindja zë shumë pak vend. U duk ndërmjet shekujve XVIII-XIX kryesisht në faqet e revistave fetare e edhe në libra të kësaj natyre, me autorë si atë Gjergj Fishta, atë Leonardo de Martino, imzot Vinçenc Prennushi, atë Anton Xanoni e edhe disa shkrimtarë të njohur, të krishterë laikë, si Gaspër Pali, Ernest Koliqi etj. Po shumë shpejt kjo traditë u ndërpre e t’i këndoje Krishtlindjes nisi të konsiderohej krim. Atëherë edhe Krishtlindja hyri në katakombe e me të, letërsia artistike e traditës kushtuar Festës së madhe, që vijoi  të kremtohej vetëm në skutat e shtëpive, në biruca burgjesh e në diasporë.

E ndërsa në trojet shqiptare kremtoheshin Krishtlindje nën thundrën e përdhunës, në diasporë, Krishtlindje të pushtuara nga kujtimet e hidhura të arratisë nga Atmja, dhimbjen e të cilave e zbuste vetëm Ardhja e Shëlbuesit. Krishtlindje mërgimtarësh që Ernest Koliqi i përshkruan kështu:”Trishtimi kapërthyes ndrydhë … zemrën e atíj qi nuk mund të marrë udhën e këthimit n’atdhè, sepse aty e pret nji përndjekje mizore. Ky lloj mërgimi dërmon shpirtin tue i a prè çdo mundësí shmallimi”.

Pikërisht një faqe të tillë, pak e aspak të njohur, nga letërsia e traditës, menduam ta shfletojmë, me disa fragmente, në këto ditë të mëdha, kur shumë mërgimtarë e ndjejnë thellë në shpirt, çka pati ndjerë Koliqi. Shkrimin e shkëputëm nga Revista “Shêjzat”, vjeti VI– n.11-12 Nanduer-Dhetuer 1963. Titullohet “Fjala qet fjalën” e përbëhet nga 5 syzime: “Këshndellat”; “Në Shkodër”, “Në mërgim”, “Në Damask” dhe “Silent Night, Holy Night”. Po fillojmë me “Këshndellat”. Na kujtojnë ca tradita që, për fat të keq, dalëngadalë po zhduken…

“Këshndellat… Fuqí ringjallëse të jashtazakonshëme përmban në vetvete kjo fjalë. Zgjon stinët e shkimuna, na këthen mbrapa në kohën e lume të moshës së njomë. Kët fjalë të vjetër sot po vjen dalkadalë tue e zevendsue neologjizmi Krishtlindja. Por, së paku më duket mue, ky me tingullin tepër kremtuer (solemne) e disi zyrtar e aulik nuk çon peshë mbrenda nesh si fjala e vjetër, ku ndryhen jehonat e zânavet të dashuna qi na ledhatuen dikur thekunisht veshin. Zânat e gjyshes dhe të nânës, zâni i shpijarvet qi na mbet në kujtim i përziem me krikllimin e buzmit qi digjej në votër. Këshndella… Fjalë magjike qi kaloi prej motit në mot mbi buzë të granís e të burrnimit dhe arrîjti e mbarrsun me veshtrime të mystershëme deri ke na. Ka depërtue në tê ambëlsia e nxehtë e jetës shtëpiake, fryma e shëndoshtë e dokevet qi lulzojnë në thjeshtësín e kulluet të familjes, afti i nderës e i urtís qi fisnikon ndër né rythmin e rrnesës prej djepit në vorr”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.