

Vdiq ambasadori rus në Turqi, Andrey Karlov, i plagosur rëndë pas sulmit të një vrasësi, dje, në Ankara. Autori i atentatit, një polic i vrarë menjëherë, para se të vdiste, pohoi, me britma të forta, se ky ishte akt hakmarrjeje: “Kjo është llogaria për Sirinë” - ishin fjalët e tij të fundit. Për atentatin terroristik folën edhe autoritetet ruse, në prag të mbledhjes së Moskës, ku ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Rusisë, Turqisë e Iranit po bisedojnë për ngjarjet e fundit të evakuimit të civilëve nga Halebi.
Me pistoletë në dorë, i veshur me kostum të errët, këmishë të bardhë e kravatë, pasi shtiu disa herë, Mert Altintas, 22 vjeç, me profesion polic, bërtiti me sa zë kishte: “Mos e harroni Halebin! Mos e harroni Sirinë”. E akoma: “Kjo është llogaria për Sirinë”... E vijoi edhe më tej me një breshëri frazash të ngjashme, për të përfunduar, para se të vdiste i vrarë, me britmën që shoqëron tashmë aktet terroristike të kësaj natyre: “Allahu është i madh!”. Përballë tij, ambasadori rus Andrey Karlov lëkundej e rrëzohej përdhe. Po mbante një fjalimin në Galerinë e Artit bashkëkohor në Ankara, për përurimin e ekspozitës fotografike “Rusia, parë nga turqit”. Tepër të rënda plagët e krejt e kotë ndihma e shpejtë në spital, ku diplomati rus vdiq, ndërsa policia vriste atentatorin. 3, të plagosurit.
Për terrorizëm me vulë islamike flasin ambasada e Moskës në Turqi dhe Ministria e jashtme ruse, që sot priti diplomacitë e Iranit e të Turqisë. Ndërmjet hamendjeve, që qarkullojnë, është edhe ajo, sipas së cilës atentatori mund të jetë “gulenist”, kundërshtar i qeverisë, që me këtë akt synonte të sabotonte marrëveshjet në vijim me Iranin e Rusinë.
Bashkësia ndërkombëtare shprehu solidaritetin e saj. Presidenti Obama e OKB-ja e dënuan ashpër aktin kriminal. Ndërkaq, në Kremlin, Presidenti rus Putin organizoi një mbledhje të jashtëzakonshme të shërbimeve sekrete, në prani edhe të ministrit të jashtëm Lavrov.
| All the contents on this site are copyrighted ©. |