2016-12-19 14:54:00

Papa të rinjve të VKI: ngjitjani botës gëzimin e dashurisë


Gëzimi është ngjitës e shumëfishohet, duke e ndarë bashkë! Françesku ia kujtoi këtë delegacionit të Veprimit Katolik Italian të rinisë, pritur në audiencë private në Sallën e Koncistorit, në Vatikan. Përveç të rinjve, ardhur nga dymbëdhejtë dioqeza italiane, si përfaqësues të shoqatës, ishin të pranishëm edhe edukatorët dhe asistentët. Përmes jush - u tha Papa - dëshiroj që urimi im i Krishtlindjes të arrijë tek e gjithë Familja e Veprimit Katolik Italian:

“Mos kini frikë: ja, po ju kumtoj një gëzim të madh, sot lindi për ju Shëlbuesi” Është kumti i engjëjve dhe i barinjve, që përsëritet çdo Krishtlindje. Lindja e Jezusit - nënvizoi Papa - kumtohet si gëzim i madh, ngaqë na kujton se Zoti na do:

“Zoti na do, ç’mrekulli! Kur jemi të trishtuar, kur na duket se gjithçka shkon mbrapsht, kur një mik a një mike na zhgënjen - ose kur ne vetë e zhgënjejmë vetveten - të mendojmë: ‘Zoti më do!’; ‘Zoti nuk do të më braktisë!’ Po, djem e vajza, Ati ynë është gjithnjë besnik, na do çast për çast, na i ndjek hapat e edhe rend pas nesh, kur largohemi sadopak. Prandaj zemra e të krishterit është gjithnjë plot me gëzim”,

E gëzimi shumëfishohet duke e ndarë: në familje, në shkollë, në famulli, kudo. Papa komentoi kështu parullën: “Të rrethuar nga gëzimi”, që e shoqëron këtë vit  udhën formuese të fëmijëve të Veprimit Katolik.

Gëzimi është ngjitës - vijoi Françesku - për t’u besuar, më pas, të rinjve, një detyrë:

“Ky gëzim ngjitës duhet ndarë me të gjithë, por në mënyrë të posaçme - e kjo është detyra - me gjyshërit… Bisedoni me ta, pyetini për shumë gjëra, ata kanë kujtesën e historisë, përvojën e jetës, e për ju kjo do të jetë dhuratë e madhe, që do t’ju ndihmojë në rrugën tuaj”.

Ngjitës, edhe angazhimi juaj për paqen - u kujtoi akoma Papa - duke shprehur vlerësimin për lidhjen ndërmjet paqes e solidaritetit, sipas dëshirës së VKI si dhe për nismën në favor të bashkëmoshtarëve të një lagjeje të varfër të Napolit.

Zoti - përfundoi Ati i Shenjtë - e bekoftë këtë projekt!








All the contents on this site are copyrighted ©.