2016-12-19 14:36:00

Papa priti në audiencë ipeshkvijtë e Kongo-s


Papa Françesku priti sot në audiencë private presidentin e Konferencës Ipeshkëvnore të Republikës Demokratike të Kongos,  imzot Marcel Utembi Tapa, së bashku me zëvendës-presidentin e ipeshkvijve, imzot Fridolin Ambongo Besungu.

Kujtojmë se vetëm dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku bëri thirrje “për zhvillimin e qetë të dialogut mes palëve të ndryshme në Republikën Demokratike të Kongo-s, për të shmangur kështu çdo lloj dhune e për të punuar për të mirën e përbashkët të mbarë vendit”.

Kisha katolike në Kongo, së bashku me përfaqësuesit e opozitës, është e impenjuar në tryezën e dialogut mbi krizën e Republikës demokratike, tryezë e cila është mbyllur të shtunën e kaluar pa ndonjë rezultat konkret. Kujtojmë se audienca e ipeshkvijve me Papën qe programuar që në verën e kaluar, e tani, me keqësimin e situatës, është trajtuar edhe gjendja e tensionuar në vendin afrikan.

Ekziston frika që situata në Republikën Demokratike të Kongo-s, e cila ka pasur një të kaluar pas-koloniale tejet të vështirë, mund të shpërthejë përsëri pasi që – me skadimin të martën të mandatit pesëvjeçar të presidentit Joseph Kabila – partia mazhorancës po bënë përpjekje për ta mbajtur pushtetin deri më 2018 me pretekstin e përgatitjes së zgjedhjeve për presidentin e ri. Protestat ndaj kësaj përpjekjeje kanë nxitur ndeshje dhe shkaktuar vdekje në kryeqytetin Kinshasa, kështu që qeveria ka ndaluar çdo manifestim në kryeqytet. Kisha dhe grupet e mbrojtjes për të drejtat njerëzore janë alarmuar për përkeqësimin e gjendjes në vend. 








All the contents on this site are copyrighted ©.