2016-12-18 12:24:00

Videomesazh i Papës: jemi artizanë të mëshirës


Videomesazh i Papës Françesku me rastin e koncertit të Claudio Baglioni-t, organizuar nga Xhandarmëria Vatikanase, në Sallën e Palit VI, për të ndihmuar një spital pediatrik në Bangui, në Republikën Qendrafrikane dhe viktimat e tërmetit në Italinë Qendrore. Më se 500 mijë euro u mblodhën nga biletat, por ka mundësi që shuma të shtohet, duke dhuruar me një sms në numrin 45523. Po botojmë në vijim, tekstin e Videomesazhit papnor:

“Mirëmbrëma, jam shumë i kënaqur prej kësaj nisme, organizuar nga Xhandarmëria, në të cilën morën pjesë shumë institucione e njerëz, secili me personalitetin e vet e me profesionalitetin e vet: artistët, mjeshtrat, teknikët, punëtorët. Të gjithë, artizanë të mëshirës sepse, siç e kam thënë edhe në raste të tjera, veprat e mëshirës, që e gjejnë frymëzuesin në Zotin e lënden në vetë mëshirën, modelohen nga duar e nga zemra burrash e  grash.

Në përfundim të Jubileut të jashtëzakonshëm, duke dorëzuar letrën apostolike Misericordia et misera (Dhembshuri e Mëshirë) kujtoja sesi kultura e mëshirës formohet në lutje ngulmuese e se, për ta mundur tundimin e fjalëve, të teorive mbi mëshirën, është e nevojshme ta shndërrosh mëshirën në jetën e përditshme, jetë që bëhet pjesëmarrje e ndarje e përbashkët e të mirave dhe të vështirave.

Si kjo ngjarje, për shembull… mendojmë për Bangui-në. Për tokat e rrënuara nga tërmeti… E shikojmë se fëmijët e Bangui mblodhën ndihma për fëmijët e trojeve të rrënuara nga tërmeti. Kjo do të thotë të jesh artizan i mëshirës.

E kjo natë e zgjeron horizontin e Jubileut të mëshirës, duke marrë pjesë e duke ndarë bashkë situata konkrete varfërie e nevoje: Bangui e trojet  e tërmetit në qendër të Italisë.

Sonte ju po merrni pjesë konkretisht e bujarisht në ndërtimin e dy projekteve në ndihmë të njerëzve më të ligshtë e më të brishtë, fëmijëve, që do të jenë shenjë e dukshme e Vitit të Mëshirës e që do të kenë nënshkrimin e shumë prej jush.

Nganjëherë ndokush më pyet: ju, o atë, flisni gjithnjë për të varfërit e për mëshirën. Po - u them - është e vërtetë, por nuk është ndonjë sëmundje. Është thjesht mënyra sesi na u dëftua Zoti. Krishtlindja tashmë tek portat, na kujton mënyrën me të cilën hyri në botë vetë Zoti: lindi, nga Maria Virgjër, si të gjithë fëmijët, lindi, e mbështollën në fasha, e ëma e  mori në krahë, e mëkoi. E jo vetëm kaq: atij, së ëmës, Marisë Virgjër e Jozefit iu desh të kërkonin një strehë, mbasi nuk gjetën asnjë vend në bujtinë.  

E akoma: lajmi i mirë, kumtimi i lindjes, nuk u jepet mbretërve a princërve, por barinjve, njerëz të papërfillur, të ashpër, mëkatarë mund të themi. Ky është Zoti ynë: jo Krejtësisht Tjetri, por absolutisht i afërti. Prandaj të bëhesh artizan i dhembshurisë e ndërtues i mëshirës, është si të investosh, jo në bursë, por në parajsë, në jetën e lume të qiellit, në dashurinë e Atit.

Ju falënderoj të gjithëve; ju falënderoj në emër të fëmijëve të Bangui e të atyre të zonave të dëmtuara nga tërmeti. Nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, të realizojmë projekte madhështore, por ajo që do të bëjmë, do të ketë nënshkrimin e pasionit tonë, Ungjillit. Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve!". 








All the contents on this site are copyrighted ©.