2016-12-18 15:04:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: si Maria e Jozefi, ta mirëpresim Jezusin e ta ndjekim pas


Duke ndjekur shembullin e Marisë e të Jozefit, të përgatitemi për ta pritur  Birin e Zotit në jetën tonë konkrete e ta ndjekim me besim vullnetin e Atit qiellor. Kjo, ftesa e Papës drejtuar mijëra besimtarëve të pranishëm këtë të diel në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Engjëllit të Tënzot. Françesku i ftoi që, gjatë kësaj jave, e cila na ndan nga Krishtlindja, të ndalen një çast në heshtje para Shpellës së Betlehemit, për ta ndjerë vërtet shijen e hirit të dashurisë së kësaj feste.

Afërsia e Zotit me njerëzimin është tema e së Dielës së IV e të fundit të Kohës së Ardhjes, e Papa ftoi edhe t’i ndjejmë pranë dy njerëz që, më shumë se të tjerët, morën pjesë në këtë mister dashurie, kryer në Krishtlindje: Marinë e fatin e saj, Jozefin.

Maria e pranoi në korpin e vet Jezusin, duke ia ndryshuar fatin njerëzimit

Virgjëra e zuri Jezusin për virtyt të Shpirtit Shenjt - kujtoi Françesku - Biri i Zotit erdhi në kraharoin e saj për t’u bërë njeri, e ajo e pranoi. Kështu, në mënyrë të pashembullt “Zoti iu afrua njeriut, duke u mishëruar nga një grua”, gjë që na ndodh edhe ne, në një mënyrë tjetër - shpjegoi Papa - Zoti na afrohet me hirin e Tij për të hyrë në jetën tonë e për të na ofruar dhuratën e të Birit:

“E ne, çfarë bëjmë? E mirëpresim, e lëmë të na afrohet, apo e dëbojmë? Ashtu si Maria, duke ia falur lirisht vetveten Zotit të historisë, e mundësoi t’ia ndryshojë fatin njerëzimit, kështu edhe ne, duke e pranuar Jezusin e duke u përpjekur ta ndjekim pas çdo ditë, mund të bashkëpunojmë me planin e Tij të shëlbimit për ne vetë e për mbarë botën. Maria, pra, na duket si model, që duhet ndjekur e  si ndihmë, që mund të na jepet,  nësa kërkojmë Zotin, afërsinë me Zotin e dëshirojmë të na afrohet e të na ndihmojë në angazhimin tonë për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë”.

Jozefi, edhe në dyshim, i beson Zotit, që i dëftohet

Pranë Marisë, protagonist tjetër i Ungjillit të sotëm, është Shën Jozefi që – kujtoi Papa duke cituar tekstin e Mateut –  nuk di si ta shpjegojë të zënët e Marisë. Duke mos mundur ta gjejë vetë përgjigjen, nis të dyshojë e shpirti i tij mbushet plot me ankth. E pikërisht në këtë çast dyshimi e ankthi - nënvizoi Françesku - Zoti ia shndrit mendjen, duke i dërguar lajmëtarin e vet. E ai i jep kumtin e madh: "Fëmija, që u zu në të, vjen nga Shpirti Shenjt!":

“Kështu, edhe përballë ngjarjes së jashtëzakonshme, që natyrisht i krijon në shpirt shumë pikëpyetje, i beson plotësisht Zotit, i cili i afrohet, dhe e ndjek ftesën e tij, nuk e lë të fejuarën, por e merr  me vete. Duke e pranuar Marinë, Jozefi pranon me vetëdije e dashuri, Atë që ishte zënë në kraharorin e saj virgjëror, përmes veprës mahnitëse të Zotit, për të cilin nuk ka asgjë të pamundur. Jozefi, burrë i urtë e i drejtë (krh v. 19) na mëson t’i besojmë gjithnjë Zotit, që na afrohet; e, kur e ndjejmë se po na afrohet, na mëson të lëshohemi plotësisht në dorë të Tij. Ky, mësimi i  Jozefit: ta lëmë, prandaj, të na prijë, me bindje të vullnetshme".

Maria e Jozefi, modele për t’u ndjekur, na paraprijnë drejt Krishtlindjes

Përmes fesë së tyre, Maria e Jozefi ishin të parët, që e pranuan Jezusin, të parët, që e pranuan afrimin e Zotit, e kështu na prijnë në misterin e Krishlindjes: njëra na ndihmon të jemi të gatshëm për ta pritur Birin e Zotit e për ta ndjekur me besim në korpin tonë, tjetri na nxit ta bëjmë gjithnjë vullnetin e Tij e ta ndjekim me besim. Të dy e lanë Zotin t’u afrohej. Po ne – pyeti përsëri Papa – “a e bëjmë të njëjtën gjë përballë misterit të Krishtlindjes, që kremton Emmanuelin, “Zotin-me-ne?”:

“E Zotit, që afrohet, a ia hap portën, kur ndjej frymëzim shpirtëror, kur ndjej se po më thërret për të bërë ndonjë gjë më shumë se të tjerët, kur më thërret në lutje? Zoti-me-ne, Zoti që afrohet. Këtë kumt shprese – uroi Papa – që kryhet për Krishtlindje, e pëmbushtë pritja e Zotit në shpirtin e secilit nga ne, në Kishën mbarë e në të vegjlit, të cilët bota i përbuz, po Zoti i do e u afrohet”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti posaçërisht grupin e UNITALSI-t të Romës, që ka organizuar një Shpellë Betlehemi me personazhe të gjalla, duke përfshirë edhe njerëz me kufizime e, posaçërisht, i porositi të gjithë për një përgatitje të veçantë në këtë javë pragfeste!

Të heshtim paksa për Krishtilindje, festë e afërsisë së Zotit…

Të përpiqemi ta gjejmë ndonjë minutë, për t’u ndalur në heshtje e për ta përfytyruar Zojën e Bekuar dhe Shën Jozefin në shtegtim drejt Betlehemit. T’i përfytyrojmë kah ecin… Si shkojnë... T’i ndjejmë hapat e tyre, peshën e lodhjes, por edhe harenë, që u gurron në shpirt nga pritja e bukur. Emocionin nga ëndrra, që po  bëhet realitet. Por edhe ankthin nga e panjohura në këtë shtegtim të vështirë e të lum njëherësh, drejt një vendi të huaj, ku nuk i pret askush e ku mund të mos gjejnë as strehë… Për këtë na ndihmon shumë Shpella e Betlehemit. Të hyjmë pra, në Kërshndellën e vërtetë, në atë të Jezusit, që na afrohet, të Zotit-me-ne, që është krejt pranë nesh, për ta marrë hirin e kësaj feste, hir afërsie, dashurie, përvujtërie e dhembshurie.








All the contents on this site are copyrighted ©.