2016-12-17 10:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së Dielës së 4-të të Ardhjes 'A'


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotin të së dielës, kësaj herët meditojmë leximet biblike të dielës së 4-të të kohës së Ardhjes, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik. Liturgjia e Fjalës së Zotit, me këtë të diele të fundit të Ardhjes, në pragun e Krishtlindjes, merr trajtën e një udhëtari që hap pas hapi i jep zemër vetvetes për t’ia mbërrijë cakut ku dëshiron të mbërrijë, do të thotë deri te Shpella e Betlehemit e jetës sonë konkrete, sepse pikërisht në jetën njerëzore konkrete e të përditshme, Ungjilli e Kisha na thërrasin ta gjejmë, ta pranojmë dhe të takohemi me Foshnjën Hyjnore, me Zotin e Mishëruar, me Jezu Krishtin, që vjen në historinë tonë konkrete.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund ta dëgjoni edhe këtu programin tonë radiofonik...

Zoti pra vjen në kohë e në histori të njerëzimit, në njërën anë për të na ofruar vetveten, për të na dhuruar jetën e tij Hyjnore, dashurinë e tij hyjnore, dhe në anën tjetër për të na çliruar nga robërimi i mëkatit e vdekja e përjetshme.

Isaia, profet që ka jetuar 7 shekuj para Krishtit, paralajmëron dhe kumton lindjen e Emanuelit, përmes një virgjëre, nga fisi i Davidit. Profecia e Isaisë plotësohet në amësinë hyjnore të Marisë. Jozefit, të fejuarit të saj, njeriut të drejtë, i kërkohet të bashkëpunojë me planin hyjnor, duke i transmetuar Birit të Hyjit titullin mesianik, atë të “birit të Davidit”. Ungjilli ia beson Jozefit detyrën për të na ilustruar se çfarë qëndrimi dhe sjellje duhet të kemi edhe ne për të kremtuar misterin e Krishtlindjes.

Shën Palit apostull në fragmentin e letrës drejtuar Romakëve, na tregon se kush vërtetë është Jezusi dhe cili është misioni i jetës së tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.