2016-12-17 08:00:00

Fundjave me Papën e Kishën


Vatikan: mijëra shtegtarë përsëri sot, në lutjen e Engjëllit të Tënzot me Papën. Kanë pamjen e barinjve, që i afrohen Shpellës së Betlehemit, për t’u takuar me Krishtin fëmijë, që së shpejti do të vijë mes nesh për të na i rikthyer shpresat e bjerruna. Grazhdi në Shesh, tashmë me kashtë të freskët, po e pret Foshnjën Hyjnore me të njëjtin padurim, që e presin edhe njerëzit. Mbi të Bredhi i Krishtlindjes lëshon reflekse të ylberta, duke e mbushur me ngjyra mjedisin e stolisur për festë. Kjo, atmosfera e pritjes në  Sheshin e Shën Pjetrit e në fjalën e Papës.

Romë: në selinë e Bashkësisë misionare të Villaregi-as, u përurua Shpella   më e madhe e Betlehemit, me karakter misionar e me personazhe të gjalla. U përsërit, kështu, ngjarja e dymijë vjetëve më parë, në Betlehem.

Mbush dhjetë  vjet kjo Shpellë, që sivjet i  kushtohet temës së paqes.

Ipeshkvijtë e Portugalisë ia kushtojnë Letrën e tyre baritore 100-vjetorit të ditës, kur Zoja e bekuar, që sot nderohet nën titullin “Zoja e Fatimës”, iu duk tre barinjve të vegjël.

Sot në mbarë botën u kremtua Dita e mërgimtarëve

Nga Halebi, jezuitët e pranishëm në gjirin e popullatës së tmerruar prej kushteve të jetës në një luftë gjakatare, pohojnë: bashkëjetojmë çdo ditë me vdekjen, por Zoti është gjithnjë mes nesh. I kryqëzuar, i bërë shoshë nga plumbat, me gjymtyrë të plagosura rëndë, Krishti është solidar me vuajtjet tona e me izolimin tonë. Krishti është mes nesh e na flet për dhimbjen e Zotit përballë egërsisë së njerëzve.

Kisha e Nigerisë ka frikë se do të sulmohet përsëri nga Boko Haram me rastin e Krishtlindjes. Kjo, dhurata që mendojnë t’i bëjnë fanatikët islamistë katolikëve, në sa presin lindjen e Princit të paqes, që njihet si i tillë edhe nga Kurani. Atentatet e javës së kaluar mbi disa objekte, ishin raprezalja e xhihadistëve të tërbuar nga humbjet e pësuara prej tyre.  

Në mesazhin e Krishtlindjes ipeshkvijtë e Haitit, të dërmuar sa nga fatkeqësitë e natyrës, aq nga fatkeqësia e madhe e korrupsionit, shkruajnë:   “T’i rikthejmë shpresën vendit!”. Shoqëruar me urimin që Krishtlindja të jetë për të gjithë haitianët burim i pashterrshëm gëzimi, paqeje, dashurie. Pa harruar të denoncojnë se populli i Haitit vijon të shfrytëzohet pa mëshirë nga vetë liderët e tij të korruptuar.  

Në Kongo, ipeshkvijtë po ndërmjetësojnë për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza politike dhe institucionale, pasi zhvillimi i zgjedhjeve presidenciale, parashikuar për këtë fundviti, duket krejtësisht i pamundur.  

Në Angli, shtohen episodet e intolerancës dhe të ksenofobisë, pas Brexit. Ndërmjet shumë liderëve, që shprehin shqetësimin e tyre për këtë klimë, përveç Vincent Nichols, primat katolik i Anglisë dhe i Uellsit, janë edhe Angela Afzal, koordinatore e organizatës Capital Mass që ndihmon famullitë më të varfëra; Matthew Ryder, i pari zëvendës-kryetar bashkie me ngjyrë i Londrës si dhe vetë kryetari i kësaj bashkie, Sadik Khan, që ndjek nga afër sektorin e integrimit.

Ipeshkvijtë e Indisë kërkojnë një politikë të re ndaj dalitëve. Konferenca ipeshkvnore indiane miratoi këto ditë një plan politikash për t’i përmirësuar kushtet e dalitëve, njerëz pa asnjë të drejtë, jashtë kastave, por gjithnjë brenda Kishës katolike të vendit.








All the contents on this site are copyrighted ©.