2016-12-16 13:53:00

Papa, lider universal, që i angazhon të gjithë, parë nga atë Federico Lombardi


Një lider universal, që i angazhon të gjithë për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët, Françesku, po mbush 80 vjeç. Do t’i mbushë më 17 dhjetor, e atë Federico Lombardi, ish-zëdhënës i Vatikanit dhe kryetar i Këshillit Administrues (Cda) të Fondacionit Ratzinger, në numrin e ri të revistës “Civiltà Cattolica” skicon portretin e Papës, në prag të kësaj  ngjarjeje.

“Papa Françesku u dallua, që nga dukja e parë në publik, për gjuhën e tij, shumë pranë jetës së përditshme dhe përvojës së njerëzve të zakonshëm. E pikërisht kështu e tërhoqi popullin, fitoi simpatinë e tij, por jo më pak, edhe admirimin e njerëzve të rëndësishëm e të kulturuar, që u prekën thellë nga aftësia e tij e rrallë për të hyrë menjëherë në sintoni me dëgjuesit, duke përdorur fjalë të përshtatshme për çdo njeri e për çdo rast. E kjo aftësi - vijon atë Lombardi -  bëhet edhe më e theksuar nga gjestet, nga  qëndrimi fizik. Gjë që tregon qartë se Papa flet me gjithë vetveten e kjo e bën jashtëzakonisht të aftë të komunikojë edhe me praninë, me figurën e tij. Kështu mund të shpjegohet pse papnia e Françeskut u bë parajsa e rrjeteve shoqërore, bazuar mbi ndarjen e përbashkët të figurave, por edhe - gjë jashtëzakonisht e rëndësishme - si është e mundur që ky Papë arrin t’i kapërcejë në mënyrë pothuajse të natyrshme, kufijtë ndërmjet kulturave, siç e tregon interesimi i pamasë, që ngjall gjatë shtegtimeve ndër kontinente të ndryshme, ndonëse me njohje të kufizuar të gjuhëve, sigurisht më të kufizuar se dy paraardhësit e tij.

Atë Lombardi kujton, pastaj, sesi Papa Françesku kritikon ashpër format shtypëse e shfrytëzuese të pushtetit, pa mbetur kurrë i burgosur në kundrapozicione fetare, ideologjike a politike. Në udhëheqjen e bashkësisë së Kishës, ai propozon një stil “sinodal”, domethënë “ecjen së bashku”, duke e tërhequr pas vetes bashkësinë kishtare të viseve të ndryshme të botës dhe  njerëzit e saj. Po ky stil vlen - duke bërë analogjitë e duhura -  edhe për propozimet e tij me horizont më të gjerë, përtej kufijve të Kishës katolike. Formula sintetike dhe e frytshme, të cilën ai e përsërit  vazhdimisht, është: “Të ndërtohen ura, jo mure”, e zbatimi koherent i saj   shtrihet në shumë drejtime: nga strehimi i emigrantëve e i refugjatëve, tek mbështetja e zgjidhjeve të konflikteve me rrugën e dialogut.

Ndërmjet  risive në fushën ekumenike, atë Lombardi kujton takimin me Patrikun e Moskës, por, nënvizon, nuk duhen nënvleftësuar edhe takimet shumë origjinale të Papës Françesku me disa nga përfaqësuesit e galaktikës jashtëzakonisht dinamike dhe të përhapur të bashkësive të krishtera pentekostale, të palidhura me Kishat e krishtera tradicionale. Në fushën e proceseve të paqësimit, është e drejtë të kujtohet inkurajimi i vazhdueshëm për dialog dhe bisedime në procesin e paqes në Kolumbi, përfundimi i tensioneve në Venezuelë si dhe prania personale e Papës në Republikën Qendrafrikane.

Atë Lombardi kujton se Papa argjentinas vlerësohet sot nga opinioni publik si lider botëror. Në fushën e marrëdhënieve të Selisë së Shenjtë me shtetet - kujton -  duhet shënuar angazhimi për vijimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Vietnamin e, posaçërisht, për rivendosjen e marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës. Lidhur me këtë, Papa ka marrë nismën të shprehë shumë herë, qartë e publikisht,  gatishmërinë e tij personale dhe interesimin për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kinës e Selisë së Shenjtë: edhe ky, aspekt karakteristik i stilit të papnisë së tij, në të cilën nisma personale nuk e bën të kotë e as nuk e zëvendëson punën diplomatike. Përkundrazi, e nxit  dhe i  hap rrugë të reja.








All the contents on this site are copyrighted ©.