2016-12-15 13:10:00

Papa: të respektohet çdo jetë, pavarësisht se e sëmurë rëndë


U bë i njohur sot Mesazhi i Papës Françesku për Ditën XXV Botërore të të Sëmurit, që do të kremtohet më 11 shkurtin e ardhshëm, në festën liturgjike të Zojës së Lurdës. Tema: “Mahnitje për veprat e Zotit: ‘Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm…’(Lk 1,49)”.

         “Duke shkuar shpirtërisht që tani në Shpellën e Masabielës, para shtatores së Zojës së Papërlyer – shkruan Papa – dëshiroj të shpreh afërsinë me të gjithë ju, vëllezër e motra, që përjetoni përvojën e vuajtjes, si edhe me familjet tuaja; dua të shpreh gjithashtu, vlerësimin tim për të gjithë ata, që në role të ndryshme e në të gjitha strukturat shëndetësore nëpër botë, punojnë me kompetencë, përgjegjësi e përkushtim për t’iu lehtësuar, për t’u kujdesur për ju e për mirëqënien tuaj të përditshme”.

         Ati i Shenjtë inkurajon të gjithë, “të sëmurë, mjekë, infermierë, familjarë, vullnetarë, të shohin në shën Marinë-Shëndeti i të sëmurëve, garanten e dhembshurisë së Zotit për çdo njeri dhe modelin e lëshimit në duart e Tij”. Gjithashtu, i nxit të gjejnë gjithnjë në fenë e ushqyer nga Fjala e Hyjit e nga Sakramentet, forcën për ta dashur Zotin e vëllezërit, pavarësisht nga sëmundja.

         Para sfidave aktuale në fushën shëndetësore dhe teknologjike, Papa thekson dinjitetin e patjetërsueshëm të çdo të sëmuri, i cili ka gjithnjë misionin e tij në jetë e nuk është  thjesht një objekt, pavarësisht se mund të ketë aftësi tepër të kufizuara. Papa kërkon përhapjen e një kulture, që respekton jetën, shëndetin dhe ambientin, përmes interpretimit të drejtë të çështjeve bioetike, kujdesit për më të brishtët dhe për ambientin.

         Së fundi, Papa u uron të gjithëve të jenë gjithnjë “shenja të gëzueshme të pranisë dhe të dashurisë së Zotit, duke imituar dëshminë e ndritur të shumë miqve dhe mikeshave të Hyjit”, ndër të cilët kujton shën Gjonin e Zotit e shën Kamilo de’Lelis, pajtorë të spitaleve e të veprimtarëve të shëndetësisë, por edhe shën Nënë Terezën, misionare e dhembshurisë së Hyjit.








All the contents on this site are copyrighted ©.