2016-12-15 11:09:00

Papa: mospërdorimi i dhunës të jetë udha e re për paqen në botë


Mospërdorimi i dhunës është udha që duhet ndjekur sot e në të ardhmen për ta ndërtuar paqen në botë: këtë theksoi Papa duke pritur ambasadorët e Burundit, Fixhit, Mauricios, Moldavisë, Suedisë e Tunizisë, akredituar pranë Selisë së Shenjtë, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Papa Françesku u propozoi ambasadorëve të rinj Mesazhin e tij për  Ditën e ardhshme Botërore të Paqes, botuar pak ditë më parë, me temë: “Mospërdorimi i dhunës, stil i politikës për paqen” :

“Mospërdorimi i dhunës është shembull tipik me vlerë universale, që përmbushet në Ungjillin e Krishtit, por që u përket edhe traditave të tjera shpirtërore të lashta e fisnike. Në një botë, si kjo e sotmja, për fat të keq  përplot me luftëra e konflikte si dhe me dhunë të përhapur, që  shprehet në një mori formash në bashkëjetesën e zakonshme, zgjedhja e mospërdorimit të dhunës si stil jete, bëhet gjithnjë më shumë kërkesë për përgjegjësi në të gjitha nivelet, nga edukata familjare, tek angazhimi shoqëror e civil e deri tek veprimtaritë politike dhe marrëdhëniet  ndërkombëtare”.

Eshtë fjala që, në çdo rrethanë - pohoi Papa -  të mos pranohet dhuna si metodë për zgjidhjen e konflikteve e këto konflikte të përballohen gjithnjë përmes dialogut e bisedimeve:

“Posaçërisht, ata që kryejnë detyra institucionale në fushën kombëtare e ndërkombëtare, janë të thirrur të zgjedhin, në ndërgjegjen e tyre e në ushtrimin e detyrave të tyre, një stil që i kundërvihet dhunës, gjë që nuk është aspak sinonim me ligështinë a me pasivitetin, por, përkundrazi,  shpreh forcën e shpirtit, guximin e aftësinë për t’i përballuar problemet dhe konfliktet me ndershmëri intelektuale, duke kërkuar me të vërtetë të mirën e përbashkët, para e më shumë se çdo interes të njëanshëm ideologjik, ekonomik a politik”.

Papa kujton se në shekullin e kaluar, të shkretuar nga luftëra e konflikte  me përpjestime të papara, pati edhe shembuj të ndritur, që treguan qartë se  me mospërdorimin e dhunës, zgjedhur me vetëdije dhe praktikuar pa asnjë lëkundje, mund të arrihen rezultate të rëndësishme edhe në planin shoqëror e politik:

“Disa popullsi, e madje dhe kombe të tëra, falë angazhimit të liderëve që nuk e zgjodhën rrugën e dhunës, arritën të fitojnë lirinë e të sigurojnë drejtësinë me rrugë paqësore. Kjo është udha, që duhet ndjekur sot e në të ardhmen. Kjo, udha e paqes, jo e asaj që shpallet me fjalë e mohohet me fakte, duke ndjekur strategji supermacie, mbështetur mbi shpenzime shkandulluese armatimesh, ndërsa një morie njerëzish i mungojnë edhe gjërat më të nevojshme për të mbajtur gjallë frymën”.

Është dëshira e Selisë së Shenjtë - përfundoi Papa - ta çojë përpara, së bashku me qeveritë e Vendeve tuaja, këtë proces promovimi të paqes, ashtu si dhe vlerat e tjera, që ndihmojnë për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut e të shoqërisë.  








All the contents on this site are copyrighted ©.