2016-12-15 14:38:00

Papa: barinjtë të thonë të vërtetën, por ta mirëpresin hapin e parë të njerëzve


Ishte Gjon Pagëzuesi, figura që Papa e vuri sot në qendër të homelisë. Eshtë vetë liturgjia e Kohës së Ardhjes që dje, sot e nesër, të bën të reflektosh për shërbesën e tij: njeri, që jetonte në shkretëtirë, predikonte e pagëzonte. Të gjithë shkonin ta takonin, edhe farizenjtë e doktorët e ligjit, por me  ftohtësi, vetëm për ta gjykuar e për të mos e lënë të pagëzonte. Në Ungjillin e sotëm Jezusi e pyet turmën: “Ç’dolët të shihni në shkretëtirë? Një kallam që e tund era? Një njeri të veshur me petka të bukura? Jo, sepse njerëzit që veshen me petka të bukura, me shkëlqim e jetojnë në kënaqje, banojnë në pallate mbretërore! Ndonjëri edhe në argjipeshkvi – shtoi Papa. Ai që kanë shkuar të shikojnë është profetë, madje edhe më tepër se profet! Unë po ju them: s’ka djalë nëne që është më i madh se Gjoni! I fundmi i profetëve, sepse pas tij është Mesia - shpjegoi Françesku - që u ndalua tek arsyet e një madhështie të tillë. “Ishte besnik ndaj asaj, që i kishte kërkuar Zoti”. Madhështor, sepse besnik. Gjë që ndjehet fort edhe në predikimin e tij:

“Predikonte fuqishëm, ua flakte në fytyrë të këqijat farizenjve, doktorëve të ligjit, priftërinjve. Nuk u thoshte: ‘Të dashur, silluni mirë, ju lutem!’. Jo. U thoshte, pa pikë frike: ‘Racë shlligash’. Kështu u thoshte. Nuk fliste me sfumatura. Sepse e dinte që i afroheshin për ta kontrolluar e për të parë ç’bënte, po kurrë me zemër të hapur”.

 “Racë nepërkash”. Rrezikonte, kështu, jetën, sepse ishte besnik. Pastaj, kur e takonte Herodin, ia plaste në fytyrë të vërtetën: “I pabesë, nuk të lejohet të thyesh kurorën, të sillesh në këtë mënyrë!”. Ia thoshte këto fjalë pa perde. Merreni me mend ç’do të ndodhte po të thoshte sot ndonjë famullitar në homeli: “Ndërmjet jush ka edhe nga ata, që janë farë shlligash, ka shumë kurorëthyes!", sigurisht që ipeshkvi do të merrte menjëherë letra ankimi: “Po, si e lejoni të flasë kështu këtë famullitar? Si nuk e gjenemosni në ndonjë skutë, këtë njeri, që di vetëm të shajë e të fyejë”. Po, Gjoni shante. E pse? “Sepse ishte besnik ndaj thirrjes së tij për të mbrojtur të vërtetën”.

Më tej Papa vërejti edhe se Gjoni i kuptonte mirë publikanët, mëkatarët publikë, që e shfrytëzonin popullin. E u thoshte: “Mos e kërkoni më të drejtin”. Ia niste nga më e pakta, pastaj i pagëzonte - kujtoi Françesku. – Më parë ky hap, e pastaj shohim e bëjmë –mendonte. Ushtarëve e policëve u kërkonte të mos kërcënonin e as të mos padisnin njeri e të kënaqeshin me pagën e tyre. E kjo do të thotë të mos hysh në botën e rryshfeteve - shpjegoi Françesku. Kur të ndalon e të bën provën e alkoolit, mund të ndodhë diçka  e tillë: “Eh, e po sa?. .. Sa? Jepi!... Gjoni i pagëzonte gjithë këta mëkatarë, por me këtë hap të vogël përpara, ngaqë e dinte se çka mbetej për t’u bërë, do ta bënte vetë Zoti. E ata pendoheshin. Ishte bari - vijoi Papa.-  Që e kuptonte gjendjen e njerëzve e i ndihmonte të shkonin përpara me Zotin. Gjoni ishte, pastaj, i vetmi nga profetët, të cilit iu dha hiri për të treguar kush ishte Jezusi!

Ndonëse Gjoni ishte i madh, i fortë, i sigurt në thirrjen e vet, edhe ai kishte çaste të errëta, kishte dyshimet e veta - kujtoi Françesku. - Kur ishte në burg, nisi të dyshonte, ndonëse e kishte pagëzuar Jezusin, sepse nuk ishte Shëlbuesi, që kishte përfytyruar. E, prej këndej, dërgoi dy prej dishepujve të vet për ta pyetur a ishte vërtet ai Mesia. E Jezusi e korrigjoi vizionin e Gjonit me një përgjigje të qartë. I porositi dishepujt të shkojnë e t’i thonë Gjonit se të verbërit po fitonin dritën e syve, të shqeptët ecnin drejt, të gërbulurit pastroheshin, të shurdhërit dëgjonin, të vdekurit ngjalleshin e skamnorëve u shpallej Ungjilli. Të mëdhenjve u lejohet të dyshojnë, sepse janë të mëdhenj - komentoi Papa.

Të mëdhenjtë mund t’ia lejonë vetes dyshimin e kjo është gjë e bukur. Janë të sigurt për thirrjen e tyre, por sa herë që Zoti u tregon një udhë të re, në të cilën duhet ecur, nisin të dyshojnë: “Po kjo nuk është ortodokse, kjo është herezi, ky nuk është mesia, që prisja”. Këtë punë e bën djalli, me ndonjë mik, që e ndihmon, apo jo? Kjo është madhështia e Gjonit, të madhit, të fundmit në aradhen e besimtarëve, që nis me Abrahamin, atij, që predikonte pendesën, që nuk përdorte gjysma fjalësh për t’i dënuar fodullët, atij që, në fund të jetës ia lejoi vetes të dyshonte. “E ky është program i bukur i jetës së krishterë”.

Pastaj Papa përmblodhi pikat kryesore të homelisë me fjalët: “T’i thuash gjërat ashtu si janë në të vërtetë e të marrësh nga njerëzit çka mund të japin, si  hap i parë”, për të përfunduar me lutjen:

“T’i kërkojmë Gjonit hirin e guximit apostolik për t’i thënë gjithnjë gjërat me vërtetësi, me dashuri baritore, t’i presim njerëzit me atë pak, që mund të japin, si hap i parë. Të tjerat i bën vetë Zoti. E t’i kërkojmë edhe hirin për të dyshuar. Shumë herë e ndoshta në fund të jetës, ndokush mund edhe të pyesë: ‘Thua është e vërtetë çka besova gjithë jetën, apo është thjesht fantazi?’, tundim, ky, kundër fesë, kundër Zotit. E Gjoni i madh, më i vogli në mbretërinë e qiellit, për këtë edhe kaq i madh, na ndihmoftë të ecim në këtë rrugë, mbi gjurmët e Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.