2016-12-14 13:05:00

Papa bën shaka për urimet para kohe: “Në vendin tim është ters”


Gjatë audiencës së përgjithshme, besimtarët e pranishëm në Sallën e Palit VI ia uruan që sot Papës ditëlindjen, të cilën do ta kremtojë të shtunën e ardhshme. Urimet u pasuan me duartrokitje të stuhishme, me përqafime e me shumë shtrëngime duarsh nga të katër anët  e Sallës vigane.  Një zonjë i vuri para tortën tradicionale, me dy qirinj në formë të 8-tës dhe 0-ros. 80-ta u ndez e Papa, gjithnjë sipas traditës, e shoi me një të fryrë. Pastaj, duke bërë shaka për këto urime të parakohshme, tha:

“Ju falënderoj ju të gjithëve për urimet e ditëlindjes. Shumë faleminderit! Por, po ju them një gjë, që do t’ju bëjë të qeshni: në viset e mia thonë se është ters t’ia urosh kujt para kohe ditëlindjen”.  

Kujtojmë se para një muaji, në një intervistë dhënë gazetës “Avvenire”, pyetja e fundit, që iu bë Papës, ishte: Shenjtëri, pas një muaji do të mbushni 80 vjet e ditët tuaja janë tejet të ngarkuara me angazhime. Si do t’ia bëni?

Reagimi i parë ishte: unë, 80 vjeç? Gjë që tregon edhe një herë se Françesku nuk e ndjen aspak barrën e viteve. E këtë e shpjegoi më hollë,  duke iu përgjigjur plotësisht kësaj pyetje, që ia bën vetes shumëkush kur mbush një moshë kaq fatlume. Ishte si recetë, fjala e Papës, e jo vetëm për versnikët:

 “Nuk e di si do t’ia bëj, por… unë lutem e kjo më ndihmon shumë. Lutem! Lutja është ndihmë për mua, është të jesh me Zotin. Kremtoj Meshën, lexoj Breviarin apo Shkurtoren e Lutjeve, flas me Zotin, them Rruzaren… Pastaj flej mirë: e ky është hir i Zotit. Flej një cope.. e bëj atë që mundem e jo më shumë.   Është hir i Zotit ky…”.








All the contents on this site are copyrighted ©.