2016-12-14 12:02:00

Audienca e përgjithshme: Krishtlindje do të thotë t’ia hapësh zemrën shpresës


Papa Françesku ia kushtoi audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, shpresës së krishterë. Krishtlindje do të thotë t’ia hapësh zemrën Zotit, që vjen për ta mundur mëkatin. 

Po i afrohemi Krishtlindjes e Isaia profet na ndihmon edhe një herë të shpresojmë, në pritje të Lajmit të Mirë të ardhjes së shëlbimit.

Kapitulli i 52-të i Isaisë nis me ftesën drejtuar Jeruzalemit që të zgjohet, ta shkundë nga vetja pluhurin, t’i copëtojë zinxhirët e të stoliset me rrobat më të bukura, sepse Zoti erdhi për ta shpëtuar popullin e vet (vv1-3). E shton: “Populli im do ta njohë emrin tim e do të kuptojë atë ditë pse unë thosha: “Ja ku jam!”.

Kësaj “Ja ku jam”, thënë nga Zoti, që përmbledh gjithë vullnetin e Tij të shëlbimit, i përgjigjet kënga gëzimplote e Jeruzalemit, sipas ftesës së profetit. Eshtë mbarimi i mërgimit të Babilonisë, mundësia  që Izraeli ta rigjejë Zotin e, në fe, të gjejë përsëri edhe vetveten. Zoti bëhet i afërt, e ‘teprica e vogël”, që qëndroi e fortë në fe, kapërceu krizën dhe vijoi të besojë e të shpresojë edhe në mes të errësirës së dendur, kjo tepricë e vogël do të mund të shikojë mrekullitë e Zotit.

Në këtë pikë Isaia e vijon profecinë me një këngë galdimi:

Sa të bukura janë mbi male

këmbët e kasnecit

që sjell sihariqin e paqes,

që sjell lajmin e mirë,

shpall shëlbimin,

e i thotë Sionit:

‘Zoti yt mbretëron!’

 ….

 Gëzohuni e galdoni së bashku,

rrënojat e Jerusalemit,

sepse Zoti po e ngushëllon

popullin e vet,

po e shpërblen Jerusalemin!

Sepse Zoti e shpërvoli krahun e vet të shenjtë

para syve të mbarë popujve,

të gjitha viset e tokës

do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë (Is 52,7.9-10).

Këto fjalë të Isaisë, mbi të cilat dëshirojmë të ndalemi sot, na kujtojnë mrekullinë e paqes, duke e përqendruar vëmendjen jo mbi kasnecin, por mbi këmbët e tij vraparake, që ngarendin e nuk ndalen: “Sa të bukura janë mbi male, këmbët e kasnecit …. Të duket si të ishte dhëndrri i Këngës së Këngëve, që vrapon pa frymë për të takuar të dashurën: ‘Ja, po vjen duke kaluar malet, duke shkapërcyer kodrat! (KK), Kështu vrapon edhe lajmëtari i paqes, duke sjellë lajmin e çlirimit e të shëlbimit e duke shpallur se Zoti mbretëron!’”.

Zoti nuk e ka braktisur popullin e vet, nuk ka lejuar që ta mundë e keqja, sepse Ai është besnik, hiri i Tij është më i madh sesa mëkati. E kjo do të thotë se “Zoti mbretëron”. Janë këto fjalët e besimit në një Zot, pushteti i të cilit përkulet mbi njerëzimin për t’i ofruar mëshirën e për ta çliruar njeriun nga gjithçka e shpërfytyron në të figurën e Zotit. E përmbushja e gjithë kësaj dashurie, do të jetë pikërisht Mbretëria e themeluar nga Jezusi, mbretëri e ndjesës dhe e paqes, që ne e kremtojmë me Krishtlindjen e që realizohet përfundimisht në Pashkët e Krishtit.

Janë këto, vëllezër e motra, arsyet e shpresës sonë. Kur gjithçka duket sikur ka marrë fund, kur, përballë realiteteve të shumta negative, feja bëhet e lodhshme e të lind tundimi të thuash se asgjë nuk ka më kurrfarë kuptimi, ja, arrin lajmi i madh, që e sjellin këmbët e shpejta të lajmëtarit ogurmirë: Zoti po vjen për të realizuar diçka të re, për të vendosur Mbretërinë e Tij të paqes; Zoti e shpërvoli krahun e tij e po vjen të na sjellë liri e ngushëllim. E keqja nuk do të fitojë përgjithmonë, e ka një fund edhe dhimbja! Dëshpërimi u mund!

E edhe ne duhet të zgjohemi, si Jeruzalemi, duke iu përgjigjur ftesës, që na drejton Profeti: jemi të thirrur të bëhemi burra e gra të shpresës, duke bashkëpunuar për ardhjen e kësaj mbretërie, të ndërtuar me dritë, që u përket të gjithëve. Mesazhi i Lajmit të Mirë, që na u besua, është urgjent, duhet të vrapojmë edhe ne, si lajmëtari, mbi male e kodra, sepse bota nuk mund të presë më, njerëzimi ka uri e etje për drejtësi, vërtetësi, paqe.

E, duke e parë Foshnjën e brishtë të Betlehemit, të vegjlit e botës do ta marrin vesh se premtimi u përmbush, kumti u realizua. Në një ferishte të vogël, të posalindur, nevojtar për gjithçka, të mbështjellë në fasha e të vënë në një grazhd, përmblidhet gjithë pushteti i Zotit, që shpëton. Duhet t’ia hapim zemrën gjithë kësaj vogëlsie e gjithë kësaj mrekullie. Është mrekullia e Krishtlindjes, për të cilën po përgatitemi me shpresë, në këtë Kohë të Ardhjes. Është e papritura e Zotit,  që e braktisi madhështinë e Tij për t’u bërë i afërt me secilin prej nesh!








All the contents on this site are copyrighted ©.