2016-12-13 13:55:00

Papa: klerikalizmi është një e keqe, që e largon popullin nga Kisha


Fryma e klerikalizmit është një e keqe e pranishme edhe sot në Kishë, e viktima është populli, që e ndjen veten të përjashtuar, të shpërdoruar. Këtë pohoi sot Papa gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, në ditën e 47-vjetorit të shugurimit të tij meshtarak. Të pranishëm në kremtim, edhe kardinajtë e Këshillit të të nëntëve. Françesku u tërhoqi vëmendjen barinjve që të mos bëhen intelektualë të fesë, me moral larg Zbulesës së Zotit.

Populli i përvuajtur e i varfër, që ka besim në Zotin, është viktimë e “intelektualëve të fesë”, të joshurve nga klerikalizmi, të cilët në Mbretërinë e qiellit do të paraprihen nga mëkatarët e penduar.

Ligji i kryepriftërinjve, shumë larg nga Zbulesa

Papa, duke cituar Jezusin që, në Ungjillin e sotëm të Mateut u drejtohet krerëve të priftërinjve e pleqve të popullit, u ndalua pikërisht tek roli i tyre. Kishin autoritet juridik, moral, fetar -  kujtoi Papa - vendosnin për gjithçka. Anna e Kaifa, për shembull - shpjegoi Françesku – ishin ata, që e gjykuan Jezusin; ishin priftërinjtë e krerët, që vendosën ta mbysin Lazrin, ose, akoma, tek ata shkoi Juda për të “biseduar” e kështu u shit Jezusi. Qenë bërë prepotentë e tiranë ndaj popullit - kujtoi Françesku - duke e manipuluar ligjin:

“Një ligj, që ata e ribënë shumë herë: shumë herë, derisa arritën në 500 urdhërime. Gjithçka ishte rregulluar, gjithçka.  Ligj i krijuar shkencërisht, sepse këta njerëz ishin të ditur. Bënin gjithë këto sfumatura, apo jo? Por ishte ligj pa kujtesë: kishin harruar Urdhërimin e parë, që Zoti ia dha atit tonë Abrahamit: ‘Ec në praninë time e ji i patëmetë!’”.

Populli, i mënjanuar nga intelektualët e fesë

Ata, pra, i kishin harruar Dhjetë Urdhërimet e Moisiut - vijoi Papa – e, me ligjin e bërë prej tyre, intelektualistik, kazistik, e shlyen ligjin e bërë nga Zoti, e harruan kujtesën, që lidh të sotmen me Zbulesën. E viktima e tyre, siç ishte Jezusi, është edhe populli i përvuajtur e i varfër, që beson në Zotin. Janë këta, që mënjanohen - nënvizoi Papa - këta, që pendohen, edhe pse nuk e zbatojnë ligjin, e i vuajnë këto padrejtësi. Ndjehen të dënuar, të shpërdoruar - theksoi akoma Françesku -  nga mendjemëdhenjtë, fodullët, kryelartët.  E një nga të flakurit nga këta njerëz, ishte edhe Juda:

 “Juda ishte tradhtar, mëkatoi keqas, eh? Mëkatoi fort. Por më pas Ungjilli thotë: ‘i penduar, shkoi tek ata, për t’u rikthyer monedhat’. E ata, ç’bënë? ‘Po ti ishte ortaku ynë! - i thanë - Mos u shqetëso, mos u shqetëso! Ne kemi pushtet të ta falim gjithçka! Apo jo! Bëji, prandaj, derman vetes! Është punë për ty!'. Dhe e lanë vetëm: e flakën. I varfëri Judë, tradhtar e i penduar, nuk u mirëprit nga barinjtë. Sepse këta e kishin harruar ç’do të thotë bari”.

 Ishin intelektualët e fesë, ata që e kishin në dorë pushtetin, që i bënin katekizëm popullit me një moral të gatuar nga inteligjenca e tyre e jo nga Zbulesa e Zotit:

“Një populli të përvuajtur, të mënjanuar, të fshikulluar nga këta njerëz: edhe sot, në Kishë - vijoi Françesku - ndodhin këto gjëra. Edhe sot ndjehet shpirti i klerikalizmit - shpjegoi – ka klerikë, që e ndjejnë veten përmbi të tjerët, largohen nga njerëzit, nuk kanë kohë për t’i dëgjuar të varfërit, të vuajturit, të burgosurit, të sëmurë"t.

Sëmundja e klerikalizmit ndjehet edhe në Kishën e sotme

Klerikalizmi është një e keqe e madhe! Është ‘botim i ri’ i këtyre njerëzve. E viktima është e njëjtë: populli i varfër e i përvuajtur, që pret në Zotin. Ati u përpoq gjithnjë të na afrohet: për këtë e dërgoi të Birin. Jemi në pritje, presim plot gëzim e ngazëllim. Sepse Biri nuk hyri në lojë me këta njerëz; Biri shkoi me të sëmurët, me të varfërit, me të përjashtuarit, me publikanët, me mëkatarët - e, shkandulluese kjo - me prostitutat. Edhe sot Jezusi na thotë ne të gjithëve, edhe atyre, që joshen nga klerikalizmi; “Mëkatarët, prostitutat, do të shkojnë para jush në Mbretërinë e Qiellit!”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.