2016-12-13 15:08:00

Vdiq prelati i Opus Dei, Echevarría. Mëkëmbësi: njeri i mirë e besnik i Jezusit


Vdiq mbrëmë, në festën e Zojës së Guadalupes, imzot Javier Echevarría, ipeshkëv dhe pasardhës i dytë i Shën Josemaria Escrivà de Balaguer, themelues i Opus Dei. Prelati ndërroi jetë në moshën 84 vjeçe.

Në një telegram ngushëllimi, Françesku u shpreh afërsinë e tij shpirtërore anëtarëve të Opus Dei dhe kujton shërbimin e dashurisë, që i bëri Kishës imzot Javier Echevarría, duke ndjekur shembullin e Shën Josemaria Escrivà de Balaguer dhe të të Lumit Alvaro del Portillo. Papa e quajti imzot Echevarría-n “dëshmitar atëror e bujar të jetës meshtarake e ipeshkvnore dhe shërbëtor besnik të Zotit”.

I lindur në Madrid, në vitin 1932, ku njohu Shën Josemaria Escrivà de Balaguer,  qe sekretar i tij nga viti 1953 - deri në vitin 1975. Në vitin 1994  u zgjodh prelat i Opus Dei. Mori nga duart e Gjon Palit II shugurimin ipeshkvnor më 6 janar të vitit 1995, në bazilikën e Shën Pjetrit.

Mesha e dritës për shpirtin e të ndjerit do të kremtohet në kishën romake të Shën Eugjenit, të enjten e ardhshme, në orën 19.00. Imzot Javier Echevarría ishte dhe Kancelar i Madh i Universitetit Papnor të Shëna Krygjës.

Mëkëmbësi i përgjithshëm i prelaturës së Opus Dei, imzot Fernando Ocáriz, që mundi t’i japë sakramentet e mbrame, pak para se të vdiste, e quajti, në mikrofonin e Radio Vatikanit, “njeri i mirë e besnik ndaj Jezusit”.   








All the contents on this site are copyrighted ©.