2016-12-12 14:15:00

Papa, Tawadrosit II, pas atentatit të Kajros: të bashkuar, në gjakun e martirëve


Pas fjalëve të djeshme në Engjëllin e Tënzot dhe lutjes për viktimat e atentatit të Kajros, Papa Françesku i telefonoi sot Patriarkut të Kishës Kopto-Ortodokse të Aleksandrisë, Tawadros II, duke i shprehur ngushëllimet personalisht. Lajmin e jep Salla e Shtypit e Vatikanit.

         “Jemi të bashkuar, në gjakun e martirëve tanë”, i tha Papa Patriarkut, duke treguar afërsinë me bashkësinë kopte “goditur kaq rëndë”, sidomos duke përmendur gratë e fëmijët, që përbëjnë numrin më të madh ndër viktimat. Shpërthimi i kamikazes ndodhi pikërisht në zonën ku luten gratë.

         Nga ana e tij, Tawadros II i kujtoi Atit të Shenjtë fjalët e thëna gjatë takimit të tyre në Vatikan, kur Françesku pati folur për “ekumenizmin e gjakut”. Papa u lut për Egjiptin e për bashkësinë kopte, që përbën 10 të popullsisë, edhe sot pasdite, gjatë meshës për Zojën e Guadalupes, duke i kërkuar Zotit paqen.

         Vetë Patriarku kremtoi meshën për shpirtin e viktimave sot paradite, në kishën e Virgjërës Mari në kryeqytetin egjiptian, ku u çuan arkivolet. Ceremoni tjetër, në Memorialin e Ushtarit të Panjohur, në praninë e kreut të shtetit, Abdel Fattah al-Sisi, i cili ka shpallur tri ditë zie kombëtare. I djeshmi është atentati më i përgjakshëm kundër pakicës kopte, që nga viti 2010. Pikërisht në atë vit, në natën e Vitit të Ri, shpërthimi i një bombe në kishën kopte të Aleksandrisë shkaktoi rreth 20 viktima.








All the contents on this site are copyrighted ©.