2016-12-10 14:50:00

Papa seminaristëve: gjithnjë në lidhje me njerëzit, me shikimin e Jezusit


“Të jem njeri, që di të krijojë marrëdhënie me të gjithë”: kush përgatitet për meshtari, duhet ta marrë këtë vendim në zemër të vet. E nënvizon Papa në fjalimin dorëzuar Bashkësisë së Seminarit Papnor Rajonal Puliez Piu XI, rreth 300 vetë, pritur sot në Sallën Klementine. Ndërmjet tyre, shumë seminaristë. Papa u kujton seminaristëve se duhet të përgatiten për të qenë gjithnjë në lidhje me njerëzit, për ta mundur tundimin e narcizizmit e për të mos e përjashtuar askënd.

Seminaristët të ruhen nga narcizizmi

T’i përkasësh Zotit, Kishës e Mbretërisë, pikërisht në shërbesën e meshtarit, nuk është gjë që improvizohet, por duhet kultivuar në vitet e seminarit. Françesku i rikthehet reflektimit mbi shërbesën e meshtarëve, shprehur gjatë Asamblesë së Ipeshkvijve italianë, pranverën e kaluar. Vetë fjala përkatësi do të thotë “ta ndjesh veten pjesë e një të tëre”: por, për ta bërë këtë - vëren Papa - nuk duhet të mendosh kurrë se ti vetë je gjithçka në jetën tënde:

“Pengesa e parë për t’u kapërcyer është, pra, narcizizmi. Tundim shumë i rrezikshëm. Jo gjithçka nis e mbaron me mua, mundem e duhet të shikoj përtej vetvetes, derisa të kujtohem për bukurinë dhe misterin, që më rrethon; për jetën, që ma kalon; për besimin në Zotin, që mbështet çdo gjë e çdo njeri, e edhe mua”.

Meshtarët e ardhshëm të përgatiten për të qenë njerëz që krijojnë lidhje, pa frikë se i ndotin duart

Nuk duhet pasur frikë se humbasim ndonjë gjë nga vetvetja. Pa u ruajtur nga rreziku i narcizizmit, është e pamundur të ecësh në udhën e thirrjes. E përkatësi do të thotë edhe të dish të hysh në marrëdhënie me tjetrin. Papa Françesku u kërkon, kështu, meshtarëve të ardhshëm, të jenë njerëz që dinë të krijojnë lidhje me të tjerët e që ky të jetë caku i parë i formimit. E nësa, hap pas hapi, afrohet shugurimi, duhet ta vërtetojnë nëse aftësia e tyre për të krijuar marrëdhënie rritet, sepse ndërtimi i bashkësisë, që meshtarët do ta udhëheqin një ditë, nis që në jetën e përditshme të seminarit:

“Nuk duhet ta ndjeni veten ndryshe nga bashkëmoshatarët tuaj; mos mendoni se jeni më të mirë se të rinjtë e tjerë, mësohuni të rrini me të gjithë, mos kini frikë t’i ndotni duart! Nëse nesër do të jeni priftërinj që jetojnë në mes të popullit shenjt të Zotit, filloni që sot të jeni të rinj, që dinë të rrinë me të gjithë, që dinë të mësojnë diçka nga çdo njeri, të cilin e takojnë, me përvujtëri e inteligjencë. E në bazë të të gjitha lidhjeve, duhet të jetë lidhja me Krishtin: nësa e njihni, e dëgjoni, lidheni me Të në besim e dashuri, bëjeni tuajën dashurinë e Tij aq, sa të ndjehet fort edhe në  marrëdhëniet me të tjerët, shndërrojuni në “kanale” të dashurisë së Tij përmes pjekurisë suaj në çdo marrëdhënie".

Përkatësi do të thotë edhe t’u drejtosh të gjithëve vështrimin përdëllyes të Krishtit    

Vendi, ku thellohet lidhja me Krishtin, është  ai i lutjes e fryti më i pjekur i saj, dashuria e krishterë. Së fundi përkatësi do të thotë të mos e përjashtosh askënd e të falësh:

“Kush i përket gjithnjë më shumë Krishtit dhe zbulon në të vështrimin që u drejtohet të gjithëve, si mundet, në stilin e jetës së tij, të jetë njeri që përjashton? Nisuni nga jeta e seminarit: a shikoni ndonjë të përjashtuar? Ndonjë të lënë mënjanë? Ju, që i përkisni Krishtit, nuk mund të mos kujdeseni për ta vënë në qendër të vëmendjes, për ta ndihmuar, që ta ndjejë edhe ai veten pjesë e bashkësisë”.

Françesku e përfundoi fjalimin me një këshillë: begatia e thirrjeve, që ka sot Seminari Rajonal Puliez Piu XI, është edhe përgjegjësi:

“Duhet  të jeni të vëmendshëm për cilësinë e udhës formuese, numrat nuk mjaftojnë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.