2016-12-09 14:31:00

Papa: Shpella e Betlehemit na fton t’i bëjmë vend atyre që jetojnë në vuajtje e varfëri.


Papa Françesku priti sot paradite, në Vatikan, delegacionet e Komunës  Scurelle të Trentinos - Shoqatën Pyjore të Lagorai-y,  dhe të kryedioqezës e të qeverisë së Maltës.   

Shpella e Betlehemit na fton t’i bëjmë vend atyre, që jetojnë në vuajtje e varfëri. Këtë theksoi Papa, duke pritur dy delegacionet ardhur nga Malta e Trento, dhurues të Bredhit të Krishtlindjes dhe Shpellës së Betlehemit, që u përuruan sot me një ceremoni festive. E pikërisht mbi këto dhurata, u pëqëndrua edhe fjala e Françeskut.

Shpella e Betlehemit - kujtoi Papa - e vendosur në Sheshin e Shën Pjetrit, vepër e artistit Gozo Manwel Grech, sjell në zemër të Vatikanit peizazhin maltez, që plotësohet nga kryqi tradicional i Maltës dhe nga “luzzu”, barkë tipike malteze, e cila të kujton edhe realitetin tragjik të emigrantëve mbi varka, drejtuar nga Italia:

“Në përvojën e dhimbshme të vëllezërve e motrave, rishikojmë përvojën e Krishtit Fëmijë që, në çastin e lindjes nuk gjeti strehë e doli në dritë në një Shpellë të Betlehemit; e pastaj u çua në Egjipt, për të shpëtuar nga kërcënimet e Herodit”.

Ata, që do ta vizitojnë këtë Shpellë Betlehemi - kujtoi në vijim Papa -  ftohen ta zbulojnë vlerën simbolike, mesazhin e vëllazërimit, thirrjen për  të ndarë bashkë të mira e të vështira, për të krijuar mikpritje e solidaritet.

E, më pas, Françesku kujtoi mijëra Shpella Betlehemi, në përgatitje e sipër kudo nëpër botë: në kisha, shtëpi, vende publike:

“Janë ftesë për t’i bërë vend në jetë e në shoqërinë tonë Jezusit, fshehur në fytyrën e një mori njerëzish, në kushte të vështira varfërie e trazirash”.

Papa kujtoi edhe simbolikën e Bredhit të Krishtlindjes, lartuar plot vezullime, pranë Shpellës së Betlehemit, që sivjet vjen nga pyjet e Scurelle, rrëzë vargamaleve të Lagorai, vise me natyrë mahnitëse, me lule, bimë të blerta e burime kristaline, që rrjedhin anës shtigjeve. Bukuria e këtyre panoramave është ftesë për të kundruar Krijuesin e për të respektuar natyrën, vepër e duarve të Tij. Jemi të gjithë të thirrur ta sodisim Krijimin me mahnitje kundruese:

“Shpella e Betlehemit e Bredhi tingëllojnë si mesazh shprese e dashurie e ndihmojnë për të krijuar atmosferën e Krishtlindjes, atmosferë e favorshme për ta jetuar me fe misterin e Lindjes së Shëlbuesit, që vjen në botë me thjeshtësi e shpirtbutësi. Të mahnitemi, me shpirt fëmije, para Shpellës së Betlehemit, sepse aty kuptohet mirësia e Zotit e kundrohet mëshira e Atij, që u mishërua, për t’i zbutur shikimet tona”.

Në përfundim, urimet më të mira të pranishëmve, të afërmëve e vendeve të tyre si dhe ftesa: “Lutuni për mua!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.