2016-12-09 14:20:00

Françesku: ashpërsia dhe mendësia e botës, shkatrrimtare për meshtarët


Meshtarët duhet të jenë ndërmjetës të dashurisë së Zotit, jo sekserë, që mendojnë për interesat e veta. Ky, qortimi i sotëm i Papës gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, përqendruar plotësisht mbi tundimet që mund ta vënë në rrezik shërbimin e meshtarëve.

Papa tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga “meshtarët e ashpër”, që shkarkojnë mbi besimtarët sende, të cilat ata nuk i kanë. E në vijim denoncoi edhe tundimin e mendësisë së botës, që e shndërron meshtarin në funksionar, duke e bërë, kështu, edhe qesharak.

Të krishterët janë si fëmijët, të cilëve u jep një gjë, e nuk u pëlqen, u jep të kundërtën, e edhe ajo nuk u pëlqen. Papa e mori shtytjen nga fjalët e Jezusit që, në Ungjillin e sotëm, nënvizon pakënaqësinë e popullit, i cili nuk është kurrë i kënaqur:

“Edhe sot ka të krishterë krejtësisht të pakënaqur, që nuk e kuptojnë çka na mëson Zoti, nuk arrijnë tek bërthama e Ungjillit”

Këtë kujtoi Françesku, për t’u ndaluar, më pas, tek priftërinjtë e pakënaqur që - vërejti - bëjnë shumë keq, jetojnë të sticuar, në kërkim të përhershëm të projekteve të reja, sepse zemra e tyre është larg nga logjika e Jezusit e, prej këndej, ankohen ose jetojnë të trishtuar.

Papa u thotë “jo”, priftërinjve sekserë, “po” priftërinjve ndërmjetësues të dashurisë së Zotit. Ky, mendimi i Françeskut, që e dënon sjelljen e  ashpër të meshtarëve, gjë që i largon njerëzit, i shtyn të kërkojnë, pastaj, ngushëllime të tjera.

E kur meshtari i ashpër, që ka mendësinë e  botës, shërben si funksionar, atëhere bëhet edhe qesharak.

Meshtari i mirë njihet, nëse di të luajë me një fëmijë – shtoi Papa - e, në vijim, solli tre shembuj të gjallë: tri ikona meshtarësh ndërmjetësues: Polikarpin, Shën Françesk Saverin e Shën Palin.

Tri ikona – shtoi - që mund të na ndihmojnë. E, duke i porositur meshtarët të jenë ndërmjetësues të vërtetë të njeriut pranë Zotit,  i  këshilloi t’i bëjnë vetes pyetjen: “Si dëshiroj të përfundojë jeta ime! Si funksionar, si sekser apo si ndërmjetësues, domethënë, në kryq?!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.