2016-12-08 13:33:00

Papa: ta ndjekim Marinë duke i thënë “po” Zotit; afërsi me viktimat e tërmetit të Sumatrës


Përmes “po”-së të Marisë, Jezusi filloi ecjen në udhët e njerëzimit. E nënvizoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në Solemnitetin e Zojës së Papërlyer. Françesku i ftoi besimtarët të ruhen nga pohimet, që ia bëjmë me gjysëm goje Zotit, duke ia mbyllur, kështu, portën së mirës. Më pas u shprehu afërsinë viktimave të tërmetit të tmerrshëm, që goditi Indonezinë.

Lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, pra, Papa Françesku ia kushtoi Zojës së Papërlyer, në Solemnitetin, që i kushtohet. U frymëzua kryesisht nga Leximet liturgjike të ditës Papa, që – kujtoi - paraqesin dy çastet vendimtare në historinë e marrëdhënieve të njeriut me Zotin. Mund të themi - kujtoi - se na çojnë drejt e në zanafillën e së mirës e të së keqes.

E pikërisht Libri i Zanafillës na tregon çastin kur njeriu shqiptoi atë “jo”  të origjinës, sepse i pëlqeu më shumë të shikonte veten, sesa Krijuesin e vet, deshi të bënte sipas kokës së vet, mendoi se i mjaftonte vetvetja:

“Por duke bërë kështu - kujtoi Papa - duke dalë nga bashkimi me Zotin, humbi pikërisht vetveten e nisi të trembet, të fshihet e të akuzojë kë kishte pranë (krh Zan 3,10.12). Këtë të bën mëkati. Po Zoti nuk e lë njeriun në mëshirën e së keqes së vet, e kërkon menjëherë e i drejton pyetjen plot merak: ‘Ku je?’” (v 9).

Është pyetje e një babai a e një nëne, që kërkon djalin e humbur: “Ku je?”. Në ç’ skutë ke përfunduar? E këtë - kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot  - Zoti e bën me shumë durim, derisa sheshohet hendeku i krijuar nga zanafilla.

Me pohimin e madh të Marisë, Jezusi nisi të ecë në udhët e njerëzimit

Pastaj Papa kaloi tek fragmenti i dytë vendimtar, rrëfyer nga Ungjilli i sotëm, kur vetë Zoti vjen të banojë ndër ne, bëhet njeri, si ne. E kjo u bë e mundur përmes një “po”-je të madhe, asaj të Marisë, në çastin e Lajmërimit. Pikërisht përmes këtij pohimi të madh, Jezusi nisi të ecë në udhët e njerëzimit: e nisi në Marinë, duke i kaluar muajt e parë në kraharorin e nënës: nuk erdhi mes nesh i rritur e i fortë, po ndoqi gjithë rrugën, që ndjek çdo njeri në jetë.

“U bë krejt i ngjashëm me ne - vijoi Papa duke komentuar faqen ungjillore - me një ndryshim të vetëm: ai ishte i pamëkat. Prandaj e zgjodhi Marinë, krijesën e vetme të pamëkat, të papërlyer. Në Ungjill - kujtoi në vijim Papa - ajo quhet “Hirplote” (Lk 1,28), do të thotë se në të, që ishte hirplote, nuk mund të kishte vend mëkati”. E dhe ne – kujtoi Ati i Shenjtë - kur i lutemi, e quajmë ‘Hirplote’, që nuk ka as hijen e së keqes.

Maria iu përgjigj propozimit të Zotit me fjalët: “Ja, shërbëtorja e Zotit!” (v 38). Nuk thotë – vërejti Papa – këtë herë po e bëj vullnetin e Zotit, po  bëj atë, që më kërkon e pastaj, shohim e bëjmë! Pohimi i saj është i plotë, pa asnjë kusht. E ashtu si ‘jo’-ja e zanafillës ia kish mbyllur njeriut shtegun që e çonte te Zoti, kështu Maria, me pohimin e saj, e hapi përsëri këtë shteg ndërmjet Zotit e nesh:

Larg pohimeve të thëna me gjysëm goje!

“Është ‘po’-ja më e rëndësishme e historisë, ‘po’ e përvuajtur, që përmbys mohimin fodull të zanafillës, pohon besnikërinë, shëron rebelimin, pranon gatishmërinë, përmbys egoizmin e mëkatit”.

Papa kujtoi, në vijim, se secili nga ne ka historinë e vet të shëlbimit, me ‘po’-të e ‘jo’-të e veta ndaj Zotit. Por - vijoi të kujtojë - nganjëherë jemi specialistë të pohimeve të thëna me gjysëm goje, të aftë për të bërë sikur nuk e kuptojmë ç’na kërkon Zoti e ç’na këshillon ndërgjegjja. Jemi edhe dinakë, e për të mos mohuar drejtpëdrejtë, përdorim shprehjet ‘nuk mundem’, ‘s’mund ta bëj sot’, ‘do ta bëj, por nesër’, ‘më mirë nesër’, ‘nesër do të lutem’, e ‘nesër do të bëj edhe ndonjë vepër të mirë’. Themi kështu e nuk mendojmë se me këtë sjellje ia mbyllim portën së mirës e e keqja përfiton nga mungesa e pohimit tonë të plotë. Ndërsa çdo ‘po’ thënë me plot gojën Zotit, bëhet shkas për fillimin e një historie të re: t’i thuash ‘po’ Zotit e jo mëkatit, që na plak shpirtin është vërtet “origjinale”. Nga çdo ‘po’ thënë Zotit, zë fill një histori shëlbimi, për ne e për të tjerët.

Në kohën kur presim Ardhjen e Zotit, Ai i lumi dëshiron të na vizitojë  e, pret ‘po’-në tonë, me të cilën i themi: “Besoj në Ty, shpresoj në Ty, të dua; u bëftë mbi mua vullneti yt i së mirës’. Me bujari e besim, si Maria, t’ia themi sot me plot gojën, secili nga ne, këtë ‘po’ personale Zotit”.

Papa, pranë popullsive të Sumatrës, dëmtuar rëndë nga tërmeti

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, gjatë përshëndetjeve drejtuar turmës së mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, njerëz të ardhur nga anë e anës, familje, grupe famullitare, përfaqësues të Veprimit Katolik Italian e  shtegtarë të tjerë, mendimi i Papës shkoi në Indonezi, e posaçërisht, në ishullin Sumatra, dëmtuar nga një tërmet i fuqishën. Të ndjekim fjalët e Atit të Shenjtë: “Dje një tërmet i fortë dëmtoi ishullin e Sumatrës, në Indonezi. Dëshiroj të siguroj se lutem për viktimat e për familjarët e tyre, për të plagosurit e për ata, që humbën shtëpitë. Zoti i dhashtë forcë popullsisë dhe e mbështetët veprimtarinë e ndihmës”.

Pastaj, Ati i Shenjtë kujtoi se sot pasdite do të shkojë në Sheshin e Spanjës për aktin tradicional të nderimit e të lutjes tek këmbët e monumentit të Zojës së Papërlyer dhe u drejtoi besimtarëve ftesën:

“Ju kërkoj të bashkoheni shpirtërisht me mua në këtë gjest, që shpreh devocionin bijnor ndaj Nënës sonë Qiellore”.

E pas lutjes, kujtoi edhe se, në përfundim, do të shkojë në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, për t’u lutur para Salus Populi Romani, gjest edhe ky tashmë tradicional i Papës.

Në përfundim, urimet:

“Ju uroj gëzuar Festën e udhë të mbarë në Kohën e Ardhjes, të prirë nga Virgjëra Mari!”.

E pastaj, edhe kërkesa e përhershme: “Mos harroni të luteni për mua!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.