2016-12-08 17:48:00

Dokument për formimin e klerit: në qendër, pjekuria njerëzore dhe shpirtërore


“Formimi i meshtarëve duhet të gjallërohet, të përtërihet e të vihet në qendër të vëmendjes”. Kjo, thekson kardinali Beniamino Stella në gazetën “L’Osservatore Romano”, është një nga arsyet kryesore, që e frymëzuan rihartimin e Ratio fundamentalis institutionis sacerdotalis, shpallur në Solemnitetin e Të Zënit pa mëkat të Zojës së Bekuar. Prefekti i Kongregatës për Klerin nënvizon se dokumenti synon të jetë mjet i frytshëm dhe i përditësuar për formimin e gjithanshëm të meshtarit.

Dokument i ndriçuar nga fjala e Papës Françesku

Flitet për një formim, që krijon mundësinë të bashkojë në mënyrë të ekuilibruar përmasën njerëzore, shpirtërore, intelektuale e baritore, përmes një udhe pedagogjike të shkallëzuar e të personalizuar. Kardinali Stella pohon se hartuesit e dokumentit u inkurajuan dhe u ndriçuan nga shërbesa e Papës Françesku, me përshpirtërinë e profecinë, që e dallojnë fjalën e tij. Sepse - pohon - kujdesi për meshtarët e për formimin e tyre, është aspekt themelor i veprimtarisë kishtare të këtij Pape.

Nuk mjafton t’i marrësh të gjitha provimet, duhet formimi i gjithanshëm

Kardinali Stella vë në dukje se në jetën e Kishës risitë nuk mund të veçohen kurrë nga tradita, përkundrazi, e integrojnë dhe e thellojnë atë. Në dokument, prandaj, përfshihen edhe udhëzimet e ofruara nga Pastores dabo vobis, të vitit 1992, lidhur me formimin e gjithanshëm. Ratio e re – vijon - synon t’i kapërcejë disa automatizma, që u krijuan në të kaluarën; sfida është të propozohet udha e formimit të gjithanshëm, që e ndihmon njeriun të formohet në të gjitha aspektet dhe favorizon një vlerësim përfundimtar, i cili duhet bërë mbi bazën e tërësisë së formimit. Thënë me dy fjalë, rithekson Hirësia e  Tij,  për të qenë prift i mirë, përveçse të kalosh me sukses provimet, duhet të arrish edhe pjekurinë njerëzore, shpirtërore, baritore.

Për formimin meshtarak duhen: humanitet, përshpirtëri, aftësi për ta dalluar të mirën nga e keqja!

Prefekti i Kongregatës për Klerin përdor tri fjalë kyçe, për të kuptuar vizionin bazë të dokumentit. Mbi të gjitha, humanizëm: kemi nevojë - thekson – për meshtarë të përzemërt, njerëz të vërtetë, të drejtë, të mirë shpirtërisht, të qëndrueshëm në ndjenja, të aftë për të krijuar lidhje të qeta ndërpersonale e për t’i jetuar pa rreptësi, pa hipokrizi, pa dredhime. Fjala e dytë është përshpirtëri. Prifti - kujton kardinali Stella - nuk është organizator fetar, as funksionar i Kishës, por dishepull i dashuruar me Zotin, jeta e shërbesa e të cilit bazohen në lidhjet e ngushta me Të. Së fundi, fjala e tretë, “shqyrtim”. Kardinali kujton se, duke folur  në asamblenë e fundit të Shoqërisë së Jezuitëve, Papa shprehu shqetësimin  lidhur me seminaret, ku ka nisur të rivendoset një atmosferë e shtangët, e cila nuk çon në shqyrtimin  e situatave. Sfida kryesore, që Ratio përpiqet të përballojë - pohon kardinali Stella - është që të formohen priftërinj largpamës në shqyrtimin e situatave, domethënë, të aftë për të bërë  dallimin e së mirës nga e keqja. E edhe ky aspekt mund të arrihet përmes formimit të tyre të gjithanshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.