2016-12-07 14:40:00

Papa, gazetës belge: laiciteti i shëndoshë nuk i trembet transhendencës


Frytet e Jubileut të Mëshirës, tema e laicitetit, sfidat për të rinjtë e për Evropën. E akoma, aspiratat e Kishës së dalë nga Sinodi, përgjegjësia e veprimtarëve të komunikimit dhe disa këshilla për meshtarët. Janë këto, temat e rëndësishme, që trajton Papa Françesku në intervistën e gjatë me të përjavshmen belge katolike “Tertio”, publikuar sot.

Jo laicizmit, që nuk respekton transhendencën

         Qëndrimi, sipas të cilit feja duhet ndarë nga jeta publike, është i vjetëruar. Papa Françesku e nënvizon këtë që në fillim të intervistës, duke folur për dallimet ndërmjet laicitetit dhe laicizmit. Një shtet laik, thekson Ati i Shenjtë, është “më i mirë se një shtet fetar”, por nuk duhet kaluar në laicizëm, i cili “ia mbyll portat transhendencës”. Laicizmin na e ka lënë trashëgim Iluminizmi. Në të vërtetë, prirja drejt transhendencës është pjesë e ekzistencës njerëzore, pjesë e njeriut. Kur një sistem politik nuk e respekton këtë “ia pret krahët njeriut”.         

Asnjë luftë, në emër të fesë

         Ati i Shenjtë i përgjigjet më pas, pyetjes mbi luftën dhe fundamentalizmin fetar. Shpreh bindjen se “asnjë fe, si e tillë, nuk mund t’i fryjë zjarrit të luftës”, sepse “do të kumtonte një zot të shkatërrimit, një zot të urrejtjes”. Nuk mund të bëhet luftë në emër të fesë, thekson Papa, prandaj terrorizmi e lufta nuk kanë asnjë lidhje me fenë. Ndodh që të përdoren deformime të fesë për të justifikuar luftën, por kjo është vepër e grupeve të vogla, që “i sëmurin fetë” e i përçajnë bashkësitë. Fatkeqësisht, pranon Ati i Shenjtë, çdo fe ka ndonjë grup fundamentalist brenda vetes, edhe ne, të krishterët.

Evropa ka nevojë për udhëheqës

         Papa e zhvendos vëmendjen drejt kontinentit evropian. Me hidhërim vëren se 100 vjet pas Luftës I Botërore, konfliktet vazhdojnë, por pjesë-pjesë, aty-këtu. Themi me gojë “kurrë më luftë”, denoncon, por, ndërkaq, “prodhojmë armë dhe ua shesim” atyre që vriten me njëri-tjetrin për interesat e prodhuesve të armëve. Ekuilibrohen bilancet përmes luftës e me një çmim shumë të lartë, atë të gjakut. Sot, ngre zërin Papa, mungojnë udhëheqës të vërtetë në Evropë, leader si Schumann, De Gasperi dhe Adenauer, që u impenjuan fuqishëm kundër luftës. Evropa, është mendimi i Atit të Shenjtë, ka nevojë për krerë, për udhëheqës.

Jubileu i Mëshirës, ide e frymëzuar nga Zoti

         Një pjesë e rëndësishme e intervistës i kushtohet Jubileut të Mëshirës. Papa Françesku tregon se ideja nuk i erdhi papritur, por si vazhdim i reflektimeve të papëve të mëparshëm, sidomos të të Lumit Pali VI dhe të Shën Gjon Palit II. Kujton se si shpallja e Vitit Shenjt të jashtëzakonshëm lindi nga bisedat me kreun e dikasterit për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fisichella. Ishte ide e frymëzuar prej Zotit, thekson Papa, i cili vijon më pas duke nënvizuar faktin se Jubileu nuk u kremtua vetëm në Romë, por në të gjithë botën. Të shumtë janë ata, që e ndjenë se Zoti i thirri të pajtohen me Të. Mëshira, citon Papa teologun luteran gjerman, Bonhoeffer, kushton shtrenjtë, por “është e lirë”. Është e lirë, sepse s’duhet paguar asgjë, nuk duhen blerë ndjesa. Por kushton shumë shtrenjtë, sepse është dhurata më e çmuar e Zotit të mëshirshëm.

Sinodi: Kisha lind nga bashkësia

         Më pas, Papa ndalet në sinodin për familjen. Kisha, pohon, “lind nga bashkësia”, nga baza. Prandaj, “o kemi një Kishë piramidale, në të cilën bëhet ç’thotë Pjetri, o kemi një Kishë sinodale, në të cilën Pjetri është Pjetër, por e shoqëron Kishën”. Dy sinodet e fundit mbi familjen, sipas Atit të Shenjtë, janë dy përvojat më të pasura të Kishës sinodale, nga të cilat doli Nxitja Apostolike “Amoris Laetitia”. Për Papën, “është interesante pasuria e larmive dhe e ngjyrimeve të ndryshme, tipike për Kishën”. Ajo është e bashkuar, pavarësisht nga ndryshimet. Ky, thekson Papa, është “sinodaliteti” i saj. Në Sinode, secili tha atë që mendonte, pa frikë se po gjykohej nga të tjerët, se po dënohej. Diskutimi qe vëllazëror, i lirë. Pjetri, shton Papa, është “garanti i bashkimit në Kishë”, por duhet të ecim përpara drejt sinodalitetit, të cilin ortodoksët e kanë ruajtur.

         Duke kujtuar përvojën e DBR-së së Krakovit, Françesku u kërkon të rinjve të mos kenë frikë, të mos u vijë turp nga feja, të kërkojnë rrugë të reja në jetë e të mos shkojnë në pension 20 vjeç.

Media: jo shpifjes, fyerjes dhe keqinformimit

         Ati i Shenjtë reflekton edhe mbi mjetet e komunikimit masiv, të cilat, sipas tij, kanë përgjegjësi të madhe, sepse formojnë opinionin, nxisin reflektimin, mund të edukojnë. Janë pozitive në vetvete, por mund të bëhen edhe të dëmshme. Papa Françesku ndalet në disa tundime të mjeteve të komunikimit, si ai i shpifjes, që përdoret sidomos kundër njerëzve të politikës. Tjetër tundim është fyerja, që e poshtëron tjetrin e pastaj, edhe keqinformimi, sipas Papës, dëmi më i madh, sepse e orienton opinionin në një drejtim të caktuar, duke lënë mënjanë një pjesë të së vërtetës. Ati i Shenjtë u kërkon mediave të jenë transparente, pa synuar komunikimin e skandaleve e të shëmtive të kësaj bote.

Meshtarëve të mos u vijë turp nga dhembshuria

         Mendimi i fundit i Papës Françesku është për meshtarët, të cilëve u kërkon ta duan gjithnjë Virgjërën Mari, të mos ndjehen kurrë jetimë e ta shikojnë korpin e Jezusit që vuan në vëllezërit nevojtarë. Meshtarët, i inkurajon Ati i Shenjtë, të mos kenë frikë nga dhembshuria. “Sot – përfundon intervistën Papa – kemi nevojë për një revolucion të dhembshurisë në këtë botë, që vuan nga skleroza e zemrës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.