2016-12-07 12:30:00

Nënë Tereza: meritat shkencore dhe intuita e madhe shoqërore


“Fe, shkencë e dashuri: Nënë Tereza dhe Universiteti katolik”. Kjo, tema e takimit, mbajtur në Poliklinikën Gemelli, me rastin e ekspozitës, hapur në të njëjtin universitet, kushtuar përshpirtërisë dhe mesazhit të Themelueses  së Misionareve të Bamirësisë.  Takimi na kujton edhe se, më 1981, Shën Tereza u nderua nga Universiteti i Zemrës së Krishti me laurën  Honoris causa në mjekësi e kirurgji. Ndërmjet referuesve ishte edhe Antonio Gasparrini, profesor i patologjisë speciale mjekësore dhe i Semiotikës mjekësore, i thirrur të fliste për meritat shkencore të Nënë Terezës:

Përgjigje: - Shën Nënë Tereza ishte gjeniale në intuitën e saj shkencore, Ajo e nisi misionin më 1948; deri në atë çast ishte mësuese e mësonte në shkollë bijat e kolonëve britanikë. Në këtë vit qe e pranishme në masakrimin e madh ndërmjet bashkësive hinduiste e myslimane dhe e kuptoi dramën e tmerrshme, që luhej jashtë mureve të shkollës. Pikërisht në këtë kohë nisi mandatin e saj, duke e pyetur veten: “A mund të bëhej ndonjë gjë jashtë shkolle?”.Ra, kështu, në një farë mënyre, në kundërshtim me atë që pritej nga një murgeshë dhe vendosi të dalë, të shkojë mes njerëzve. E u nis e shkoi drejtpërdrejt në slum-et (barakat) e Kalkutës – e merrni me mend si mund të ishin kushtet e tyre shëndetësore - e punoi, në fillim, për higjienën e ushqimin. Kjo është mënyra më e pabesueshme me të cilën e nisi atë, që ne sot e quajmë “asistenca territoriale”, kur asistentët tanë sanitarë shkojnë në zonat e varfëra. Pastaj me Kalighat, me shtëpinë e saj të parë për të sëmurët në prag të vdekjes, me një intuitë gjeniale; njerëzit, që vdisnin në slum, duhet të vdisnin me dinjitete. E ajo shpiku, në një farë mënyre, të parën banesë rezidenciale, domethënë, ato struktura ku njerëzit, në fund të jetës - të mendojmë për të sëmurët  onkologjikë  ose ata me sëmundje kronike, duhet të shkojnë për të pasur një asistencë dinjitoze  e edhe një fundjete dinjitoz. E ajo e shpiku këtë që më 1950. Pastaj u mor me të gërbulurit: e kuptoi menjëherë se duhet të kufizoheshin sa më shumë mundësitë, që sëmundja t’u ngjitej edhe të tjerëve e të përhapej më tepër se ishte. Prej këndej, ideja për t’i mbledhur në bashkësi të ngushta, për t’u dhënë, më pas edhe dinjitetin e punës këtyre njerëzve të stërmunduar nga sëmundja e tmerrshme. E kështu, e para edhe në këtë fushë, e kuptoi  rëndësinë e vendeve të kufizuara, me vullnetarë, që japin ndihmesën për t’i rikthyer në jetë këta njerëz. 300 kilometra nga Kalkuta, në qytetin e paqes, i mësoi të gërbulurit të punojnë. E shpiku, kështu, në një farë mënyre, terapinë e marrjes me punë, që për ne është normalitet: mendoni një të burgosur, që duhet të përfshihet përsëri në shoqëri... Ishte ajo që, në vitin 1960, provoi e para terapinë e zënies me punë apo terapi okupacionale. U mor edhe me të sëmurët mendorë:  për herë të parë e kuptoi se duhet të  nxirreshin jashtë nga strukturat  - çmendinat e kohës ishin  struktura të diskutueshme - e ajo shpiku vendet, ku nisi t’u mësojë të sëmurëve psikiatrikë të shkruajnë e të lexojnë e, madje, edhe të nisin ndonjë punë. Mendjemprehtësi e pabesueshme, pastaj, në frontin e luftës për jetën e re, që lind: ajo i mori fëmijët, që të gjithë i braktisnin, që flakeshin në rrugë të madhe e, në vend që t’i mbyllte në jetimore, pati mendjemprehtësinë të kuptojë rëndësinë e bijësimeve: nisi t’u sigurojë një familje këtyre fëmijëve. Pastaj vepra e Nënë Terezës u përhap, duke i kapërcyer kufijtë e Indisë, shkoi në botën perëndimore. Atëherë Tereza nisi të merret me të flakurit jashtë radhëve të shoqërisë, të papunët, të alkoolizuarit. E këtë vijojnë ta bëjnë misionaret e bamirësisë në botën tonë, ku vërtet nuk ka më sëmundje kronike ose infektive të pabesueshme, sepse higjiena funksionon, por ku për të braktisurit nuk mendon askush. Prej këndej, mund të themi se Nënë Tereza vërtet nuk bëri kurrë ndonjë zbulim të madh, por i kuptoi para të gjithëve, bazat e asistencës shoqërore, dhe e bëri këtë, siç dinte ta bënte vetëm ajo: në heshtje e me përkushtim absolut!

Pyetje: - Profesor Gasbarrini, pra mund të themi se feja e shkenca, në këtë rast, shkenca mjekësore, e edhe bamirësia, nuk janë të papajtueshme, por  model praktik, që mund t’u propozohet jo vetëm njerëzve të jashtëzakonshëm, si Nënë Tereza, por edhe të gjithë punonjësve të shëndetësisë?

Përgjigje: - Të gjithë punonjësve të shëndetësisë. Nënë Tereza nuk deshi  kurrë që, çka bënte ajo, të mbetej e lidhur me një njeri të vetëm. Një intuitë tjetër gjeniale, që pati, është se nëpër shtëpitë e saj të shpërndara nëpër botë, zbatohet i njëjti model: model i rreptë shkencor; e ajo e kuptoi këtë, ndoshta, më shpejt se të gjithë!








All the contents on this site are copyrighted ©.