2016-12-07 14:13:00

Françesku: shpresa është virtyt i të vegjëlve, të mëdhenjtë nuk e njohin


“Shpresa e krishterë nuk të zhgënjen kurrë”. Këtë nënvizoi sot paradite Papa në audiencën e përgjithshme, duke iu drejtuar besimtarëve, mbledhur nga mbarë bota në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Turmë medituese, por edhe gazmore, në përkim të dukshëm me Kohën e Ardhjes, kur pritet që ngjarja e madhe të ngjallë shpresa të reja edhe në zemrat më të përhumbura. Gjatë audiencës, Françesku bëri dy thirrje: për të luftuar kundër korrupsionit dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut, në prag të dy  Ditëve ndërkombëtare, më 9 e më 10 dhjetor, kushtuar këtyre temave.

E sot Papa nisi katekizmin e parë të një serie të re, kushtuar shpresës së krishterë:

“Është shumë e rëndësishme, sepse shpresa nuk të zhgënjen. Optimizmi të zhgënjen, shpresa, jo! Qartë?”.

Kemi shumë nevojë për të, nënvizoi Papa:

“... në këto kohë, që duken të errëta, në të cilat nganjëherë ndjehemi të përhumbur përballë së keqes e dhunës, që na rrethojnë e përballë dhimbjeve tona e të vëllezëve tanë. Duhet shpresuar!”.

Duhet, sepse ndjehemi jo vetëm të përhumbur, por edhe të shkurajuar:

“...ngaqë ndjehemi krejtësisht të pafuqishëm e na duket sikur kjo errësirë nuk do të davaritet kurrë”.

Por nuk duhet të mendojmë se do të na braktisë edhe shpresa, përkundrazi, nuk duhet harruar se ...

“ ... Zoti, me dashurinë e Tij, ecën  me ne! Unë shpresoj, sepse Zoti është pranë meje”.

Shpresë,  pra, që vështirësitë të mos na lënë edhe pa aftësinë për ta vënë buzën në gaz:

“Një nga gjërat, një nga gjërat e para, që u ndodh njerëzve, të cilët shkëputen nga Zoti, është se janë njerëz pa buzëqeshje; ndoshta janë në gjendje të  shkrihen në gaz, të qeshin papushuar, të thonë batuta e të qeshin e të qeshin...”.

Por gazi i vërtetë, ai që del nga zemra, u mungon:

“Buzëqeshjen e vërtetë na e jep vetëm shpresa. E kuptuat këtë? Është buzagazi, që buron nga shpresa se do ta gjejmë Zotin”.

Jeta shpesh herë shndërrohet në shkretëtirë, ku është vështirë të ecësh, vërejti Françesku:

“... por, nëse ia besojmë Zotit, mund të bëhet e bukur, e gjerë si një autostradë, mjafton të mos e humbasim kurrë shpresën, mjafton të vijojmë të besojmë, gjithnjë, pa marrë parsasysh asgjë tjetër”.

Megjithatë, nuk mund ta mohojmë – vijoi Papa – se bota e sotme është në krizë feje:

“Po, pastaj themi: ‘Unë besoj në Zotin, jam i krishterë’ – ‘Unë i përkas kësaj feje’. Por jeta jote është shumë larg nga feja e krishterë; shumë larg nga Zoti”.

Ç’duhet bërë, atëhere? Duhet ta kërkojmë Zotin, të pendohemi e ta kthejmë zemrën kah Zoti, ta përgatisim në këtë kohë Ardhjeje takimin me Krishtin Fëmijë, duke shikuar njerëzit e vegjël, të thjeshtë, të cilët i gjejmë përreth Jezusit, që lind:

“Janë të vegjlit, që u bënë të mëdhenj nga feja e tyre, të  vegjlit, që dinë të vijojnë të shpresojnë. E shpresa është virtyt i të vegjëlve. Të mëdhenjtë, të kënaqurit nga vetvetja nuk e njohin shpresën, nuk dinë ç’është shpresa”.

T’i lëmë, prandaj, të vegjlit të na e mësojnë shpresën:

“Ta presim me besim ardhjen e Zotit e, sido që të jetë shkretëtira e jetëve tona, e secili e di vetë në cilën shkretëtirë ecën, sido, pra, që të jetë shkretëtira e jetëve tona, do të bëhet kopsht i lulëzuar. Shpresa nuk zhgënjen!”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.