2016-12-06 17:00:00

Papa: Kishat të jenë oaza bukurie për të ndihmuar takimin me Zotin


Bukuria e ndikimi i saj mbi shpirtin e njeriut, detyra e artistëve, rikualifikimi i periferive: këto ishin disa nga argumentet e fjalës së Papës Françesku për Akademitë Papnore, mbledhur në Takimin e tyre të 21-të, me temë “Shkëndija bukurie për një fytyrë njerëzore të qyteteve”. Fjala e Atit të Shenjtë u lexua nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, para pjesëmarrësve të mbledhur në Pallatin e Kancelarisë në Romë, që të kujton arkitektin e famshëm italian Donato Bramante, i cili realizoi portikun e pallatit, konsideruar në historinë e artit si një nga më elegantët e ndërtuar ndonjëherë.

         E pikërisht roli i artit dhe i së bukurës ishte në qendër të vëmendjes së fjalimit, drejtuar kreut të dikasterit vatikanas për Kulturën, kardinalit Gianfranco Ravasi, njëkohësisht, kryetar i Këshillit të Koordinimit ndërmjet Akademive Papnore. Papa përshëndet veçanërisht anëtarët e Institucionit më të lashtë akademik, Akademisë së shquar Papnore të Arteve të Bukura dhe të Letrave të Virtuozëve në Panteon, themeluar më 1542, e cila zgjodhi këtë vit temën e asamblesë. Kjo temë i sjell Atit të Shenjtë ndërmend dy gjëra.

         Së pari, fjalën e Benediktit XVI drejtuar artistëve në nëntor 2009, ku thoshte: “Fatkeqësisht, çasti aktual karakterizohet, përveçse nga fenomene negative në nivelin shoqëror dhe ekonomik, edhe nga venitja e shpresës, nga një lloj mosbesimi në marrëdhëniet njerëzore, prandaj, shtohen shenjat e çkurajimit, të agresivitetit, të dëshpërimit... Çfarë mund të japë sërish entuziazëm e besim, çfarë mund ta inkurajojë shpirtin njerëzor të rigjejë udhën, të hedhë vështrimin drejt horizontit, të ëndërrojë një jetë të denjë për thirrjen e tij, nëse jo bukuria?”

         Më pas, Papa Françesku tërheq vëmendjen drejt projekteve të rikualifikimit e të rilindjes së periferive e metropoleve, për të cilat po impenjohen arkitektë në zë. Propozojnë ato “shkëndija” bukurie, thekson Papa, që i bëjnë të shndrisin edhe periferitë më të humbura, duke u dhënë atyre së pari hijeshi njerëzore e pastaj urbane. E nuk harron edhe edukimin, Ati i Shenjtë, duke pasur parasysh thënien e shkrimtarit italian, Italo Calvino, sipas të cilit “qytetet, ashtu si ëndërrat, përbëhen nga dëshira e frika”. Duke ftuar për një edukim estetik, që të mos i lërë hapësirë frikës, Papa vë në dukje se “kur nuk mësojmë të ndalemi, për të admiruar e për të vlerësuar të bukurën, nuk është çudi që çdo gjë të shndërrohet në objekt përdorimi e shpërdorimi të paskrupullt”.

         Që këndej, detyra për artistët, sidomos për ata që besojnë në Krishtin: “të krijohen vepra arti që, pikërisht përmes gjuhës së bukurisë, të bartin një shenjë, një shkëndijë shprese e besimi aty ku njerëzit duket sikur dorëzohen para indiferencës dhe shëmtimit. Arkitektë e piktorë, skulptorë dhe muzikantë, kineastë dhe shkrimtarë, fotografë dhe poetë, artistë të çdo disipline, janë të thirrur ta bëjnë bukurinë të shndrisë sidomos aty ku errësira e zymtësia e dominojnë jetën e përditshme... I ftoj të kujdesen për bukurinë e bukuria do të kujdeset për plagët e shumta, që rrjedhin gjak në zemrat e në shpirtin e burrave e grave të ditëve tona”.

         Në takimin e sotëm u dha çmimi i Akademive Papnore, ex aequo, për dy persona: Chiara Bertoglio, për punën kërkimore në fushën e muzikologjisë e të letërsisë, si edhe për veprimtarinë e saj koncertiste, si edhe Claudio Cianfaglioni, për punën kërkimore poetike dhe për studimin e disa figurave të rëndësishme poetike të kohës sonë, ndër të cilët, atë David Maria Turoldo, ndërsa i festohet 100-vjetori i lindjes.

         Gjithashtu, morën Medaljen e Papnisë, Michelle Vannelli, Maestro i Kapelës në Bazilikën e Shën Petronios në Bolonjë dhe Francesco Lorenzi, kompozitor e muzikant, themelues i grupit muzikor “The Sun” (Dielli).








All the contents on this site are copyrighted ©.