2016-12-06 15:40:00

Imzot Jurkoviç në OKB: nga globalizimi në rishpërndarjen e pasurisë


“Të kthehen deklaratat në veprime dhe impenjimet e marra në rezultate”. Ky është drejtimi, që duhet të marrë tregtia globale për të arritur objektivat e Agjendës 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm. Kështu pohoi vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës, imzot Ivan Jurkoviç, i cili foli dje para Këshillit të UNCTAD-it, Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë e Zhvillimin.

Ta rimendojmë globalizimin

Pavarësisht nga avantazhet e shumta të liberalizimit të tregtisë globale dhe nga hapat e bashkësisë ndërkombëtare në dhjetëvjeçarët e fundit, ekonomia botërore po kalon nëpër një krizë ekonomike e financiare, që ka filluar në vitet 2008-2009. Ajo rëndon sidomos mbi vendet më të varfëra, por edhe mbi ekonomitë e industrializuara, duke krijuar pabarazi në rritje. Para këtij skenari, vuri në dukje prelati, “sfida e madhe politike e bashkësisë ndërkombëtare është të kalojë nga globalizimi në rishpërndarjen e pasurisë”.

Rreth virtuoz, për të mirën e  përbashkët

  Për këtë, vijoi vëzhguesi i Vatikanit, politika e institucioneve shumëkombëshe dhe 17 objektivat e Agjendës për zhvillimin pas vitit 2015 nuk mund të kufizohen vetëm në ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet interesave të veçanta, por duhet të synojnë drejt së mirës së përbashkët. Kjo kërkon vetëpërmbajtjen e çdo anëtari të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve.

Nga fjalët në vepra

“Nëse duam vërtet që Agjenda 2030 të ketë sukses – përfundoi imzot Jurkoviç – duhet të vijojmë zbatimin e Programit të Addis Abebës, që parashikon financimin e zhvillimit. Objektivi ynë i përbashkët duhet të jetë shndërrimi i vendimeve në veprime”.








All the contents on this site are copyrighted ©.