2016-12-05 14:12:00

Françesku: ndryshimi, që sjell Jezusi, nuk është hile, rinon zemrën


Ta lëmë Jezusin të na shndërrojë, ta lëmë “të na rikrijojë”, duke na çliruar nga mëkatet tona. Kështu u shpreh Papa në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, përqendruar tek tema e përtëritjes, që sjell Zoti.

Papa u tërhoqi vëmendjen besimtarëve, që të mos mendojnë t’i lustrojnë mëkatet, pa u penduar me të vërtetë, në thellësi të zemrës. Vetëm duke i quajtur me emër e mbiemër mëkatet tona - vërejti Ati i Shenjtë -  mund t’i krijojmë Zotit mundësinë të na bëjë burra të rinj e gra të reja.

Shkretëtira do të lulëzojë! Të verbërit do të shohin! Të shurdhërit do të dëgjojnë! Leximi i parë, shkëputur nga Isaia Profet - kujtoi Françesku - na flet për përtëritje. Gjithçka do të ndryshojë: “nga e shëmtuar, që është, do të bëhet e bukur; nga e keqe, e mirë”. Gjithçka do të ndryshojë, e jo për keq, por për mirë. E  pikërisht këtë priste populli i Izraelit nga Mesia.

Ndryshimi, që sjell Jezusi, nuk është makjazh  

Jezusi - vijoi Papa duke e zhvendosur vëmendjen mbi Ungjillin e sotëm - shëronte, u tregonte njerëzve udhën e ndryshimit, e prandaj edhe e ndiqnin pas. E nuk e ndiqnin thjesht sepse mesazhi ishte aktual, e ndiqnin sepse mesazhi i Jezusit arrinte në zemër. Këtë nënvizoi Françesku, e më pas shtoi: - Populli shkonte, sepse Jezusi shëronte, prandaj e ndiqte edhe për këtë:

“Por kjo, që bënte Jezusi, nuk ishte thjesht ndryshim nga e shëmtuara, në të bukurën; nga e keqja, në të  mirën: Jezusi bëri një shndërrim. Problemi nuk është të bëhesh i bukur, nuk është punë makjazhi, punë truku: Jezusi nuk shndërronte dukjen, por zemrën! Shndërronte, duke ri-krijuar: Zoti kishte krijuar botën. Njeriu ra në mëkat: atëherë erdhi Jezusi për ta ri-krijuar botën. E  ky është  mesazhi, mesazhi i Ungjillit, që duket fare qartë: para se ta shërojë këtë njeri, Jezusi ia fal mëkatet. Shkon drejt e tek ri-krijimi,  e ri-krijon njeriun nga mëkatar, që është, në të drejtë: e ri-krijon si të drejtë. E bën krejtësisht të ri. E kjo shkandullon! Shkandullon!”.

Prandaj - vijoi Papa - Doktorët e Ligjit nisën të diskutonin, të mërmërisnin, sepse nuk mund ta duronin autoritetin e Tij, autoritet, që ata nuk e kishin. Jezusi  - tha Papa – është i aftë të na bëjë ne, mëkatarët, njerëz të rinj. Është diçka  - vërejti - të cilën e mori me mend menjëherë Magdalena, që ishte e shëndoshë, por kishte një plagë në shpirt: ishte mëkatare. E mori me mend se ky burrë mund t’ia shëronte jo vetëm korpin, por edhe e kryesisht, plagën e shpirtit. Mund ta ri-krijonte! E për këtë duhet shumë fe!

Ta hapim zemrën para Zotit, t’ia themi mëkatet me emër e mbiemër

Zoti – vijoi Ati i Shenjtë - na ndihmoftë të përgatitemi për Krishtlindje me fe të gjallë, sepse për shërimin e shpirtit, për shërimin ekzistencial, ri-krijimi që sjell Jezusi do fe të vërtetë.  Shndërrimi - pohoi Papa - ky është hiri  i shëndetit, që sjell Jezusi. E duhet ta mundim tundimin, që na shtyn të themi: “Jooo, unë nuk mund ta bëj këtë”, por ta  lëmë Jezusin të na shndërrojë, të na ri-krijojë. “Guxim” është fjala e Zotit:

“Të gjithë jemi mëkatarë, po ti shiko rrënjën e mëkatit tënd  e lëre Zotin të të zbresë në fund të shpirtit e ta ri-krijojë, atëhere rrënja do të mbijë e do të lulëzojë, do të lulëzojë me vepra drejtësie, e ti do të jesh burrë i ri, grua e re. Por nëse ne bëlbëzojmë: 'Po, po, jam mëkatar; do të shkoj të rrëfehem'… e shkoj e them nja dy fjalë …Them kështu, e pastaj vijoj si më parë… pa e lënë Zotin të më ri-krijojë… I shkoj shpirtit vetëm dy penelata verniku e besoj se me këtë mbaron edhe historia e mëkatit… Jo! Kjo nuk shkon! Duhet t’i them mëkatet e mia, me emër e mbiemër; kam bërë këtë e këtë e këtë, e më vjen turp deri në thelb të zemrës. E jam gati ta hap zemrën e t’i them Zotit tim: 'O Zot, i vetmi që kam. Më ri-krijo! Më ri-krijo!'. E kështu kemi guximin të shkojmë - me fe të vërtetë - siç e kemi kërkuar -  kah Krishtlindja”.

Gjithnjë - shtoi Papa - përpiqemi ta fshehim barrën tejet të rëndë të mëkateve tona. Për shembull, kur e mendojmë se zilia është mëkat krejt i lehtë. Ndërsa është tepër i rëndë. Është si helmi i gjarpërit, që përpiqet ta rrënojë tjetrin.

Ta lëmë Zotin të na i shlyejë mëkatet tona, për të na bërë vërtet të rinj

Papa na inkurajon t’i shkojmë deri në fund të fundit mëkateve e pastaj t’ia japim Zotit, që t’i shlyejë e të na ndihmojë të shkojmë përpara me fe. E nënvizoi këtë fragment, duke treguar një anekdotë nga jeta e një Shenjti, studiues i Biblës, që kishte karakter tejet të fortë, me shpërthime inati e që, prej këndej, i lypte falje Zotit, duke bërë shumë pendesë:

“Shenjti, duke folur me Zotin, i thoshte: ‘A je i kënaqur nga unë, o Zot?’ – ‘Jo’? - ‘Po unë t’i dhashë të gjitha!’- ‘Jo, mungon diçka!’… E ky i varfëri bënte rishtas pendesë të re, thoshte lutje të re, rrinte pa gjumë në sy: ‘Të dhashë gjithçka, o Zot! Ç’duhet të jap akoma?’. – ‘Jo, mungon diçka’ - ‘Po çka mungon, o Zot?’- ‘Mungojnë mëkatet tua! M’i jep mëkatet!’. E këtë kërkon sot Zoti nga ne: ‘Guxim! M’i jep mëkatet e unë do të të bëj  burrë të ri, grua të re!’. Zoti na dhashtë fe, që ta besojmë këtë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.