2016-12-05 16:32:00

Filipine: atentate antikatolike, ipeshkvijtë kërkojnë siguri


Kthehet frika në bashkësinë katolike të Mindanaos, në ishujt e Filipineve jugore, me shumicë myslimane. Pas atentatit të së dielës së kaluar kundër një kishe, mendohet se mund të ketë sulme të tjera terroriste. Atentati u krye nga grupi fundamentalist “Maute”, i lidhur me Shtetin Islamik (Isis). Ipeshkvijtë i kërkojnë presidentit Duterte të garantojë sigurinë e besimtarëve, përndryshe mund të pezullohet kremtimi i meshës. Në mikrofonin tonë, misionari i Pime në Filipine, atë Giovanni Re:

         Ajo që ndodhi para asaj kishe është ngjarje në një zonë shumë të veçantë, sepse gjendet në Mindanao, në një zonë konflikti. Prej vitesh kemi konflikte në atë zonë. Përveç atij atentati, pak ditë më pas, u gjet një bombë jashtë ambasadës amerikane; e pastaj – përveç kësaj – kemi pasur një atentat tjetër kundër një karvani ushtarak. Të gjitha këto ngjarje duhen inkuadruar në konfliktin ndërmjet qeverisë dhe forcave myslimane, me të cilat ka përpjekje për dialog prej kohësh. Por, këto grupe myslimane janë të lidhura me Isis-in, prandaj nuk kontrollohen nga dy grupet myslimane më të mëdha, me të cilat po përpiqet të dialogojë qeveria për të arritur paqen.

         Lufta kundër fundamentalizmit mund të jetë terren i përbashkët ndërmjet Kishës dhe presidentit Duterte, apo jo?

         Kisha është treguar gjithnjë në favor të dialogut. Në fakt, kemi nisma dialogu ndërfetar me myslimanët. Problemi është se pala tjetër nuk është në favor të dialogut – e kam fjalën për këtë grup ekstremist – sepse duan një shtet të pavarur islamik. Aktualisht kemi pak më tepër frikë, sepse presidenti, gjatë intervistave – ndoshta edhe për shkak të karakterit të tij – flet pak rëndë kundër atyre, që impenjohen për të drejtat e njeriut. Por qeveria e re ka premtuar se do të bëjë ç’është e mundur për arritjen e paqes. Unë vetë nuk jam shumë optimist, sepse jetoj këtu prej shumë vitesh tashmë. I kam parë përpjekjet për paqe me grupe të ndryshme e kur duket sikur po arrihet një marrëveshje me ndonjë grup, pa pritur e pa kujtuar del ndonjë fraksion tjetër që shkon në rrugën e vet dhe fillon sërish luftën me qeverinë e me grupet e tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.