2016-12-04 12:00:00

Fundjave me Papën e Kishën


Vatikan: “Kthehuni në rrugën e Zotit, sepse Mbretëria e Tij është fare pranë! Kjo thirrje e fuqishme, që u drejtohet, nga faqet e Ungjillit, të gjithë besimtarëve, në të Dielën II të Kohës së Ardhjes, jehoi fort edhe në lutjen e  Engjëllit të Tënzot të së dielës, që Papa e kremtoi, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

U ridëgjua zëri profetik i Izaisë, i cili u kujtoi rishtas besimtarëve Ardhjen e asaj kohe që e dëshirojnë aq shumë, kur një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut… e më të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit… që do t’i gjykojë me drejtësi skamnorët.  Pasuar nga një thirrje e dytë, ajo e Gjon Pagëzuesit: “Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!” së cilës Papa i bëri jehonë me Psalmin e së dielës, që e shpreh aq prekshëm atmosferën e pritjes: “Eja, o Zot, mbret i drejtësisë dhe i paqes”.

Vatikan: Në Vatikan u përkujtua sot 53-vjetori i botimit të “Sacrosanctum Concilium”, dokument i Koncilit II të Vatikanit, kushtuar liturgjisë  në tërësinë e saj e në perspektivën teologjike e baritore.

Tiranë: Filloi dje, me një kremtim në Kishën Katedrale të Shën Palit në Tiranë, misioni i imzot George Frendo-s si kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit. Një ditë më parë, të premten më 2 dhjetor, në orën 12.30 kryeipeshkvi ri  organizoi  një drekë për disa të varfër në dioqezën e Tiranë-Durrësit. E po të premten, me ftesën e Kryeipeshkvit Frendo, në çdo Kishë u kremtua një gjysmë ore lutjeje për kryeipeshkvin e ri e për kryedioqezën Tiranë-Durrës.

Kujtojmë se imzot Frendo, rregulltar domenikan e teolog nga Malta, që jeton e vepron prej shumë vitesh në Shqipëri, zë vendin mbetur bosh nga vdekja e Imzot Rrok Mirditës.  

Në Itali, përkujtohet 48 vjetori i lindjes së “Avvenire-s”. Ishte data 4 dhjetor 1968, kur botohej numri i parë i gazetës katolike italiane “Avvenire”. Përveç një etapë të re të gazetarisë,  shënonte dhe një faqe të re, me vlerë, në historinë e Kishës italiane. Gazetë tejet e rëndësishme, mund të njihet më hollësisht në gjithë kontributin e saj, duke shfletuar librin “Pali VI dhe Avvenire”, shkruar nga Eliana Versace.

Itali-Cascia: Sot, në orën 14.30, kryeipeshkvi i Spoleto-Norcias, imzot Renato Bocardo, kryesoi një çast lutjeje për hapjen e Bazilikës së Shën Ritës, dëmtuar rëndë nga tërmeti. Falënderoi, gjatë këtij kremtimi,  zjarrfikësit, për veprimtarinë e tyre bujare, të përditshme, në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti. Kujtojmë se Shën Rita është Pajtore e njerëzve që gjenden në situata pa rrugëdalje, prej këndej tejet e nderuar në mbarë botën ku, për fat të keq, situata të tilla ndeshen shpesh.

Në Mbretërinë e Bashkuar sot u kremtua “E diela e Biblës”. Tema, shkëptur nga letra e Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve, në përkim të plotë me këtë të  Diel të dytë të Ardhjes, ishte: “Prandaj mikpriteni njëri- tjetrin, ashtu si na mikpriti Krishti ne, për lavdi të Zotit”(Rom 5,7). Aktuale për të gjithë, kjo temë, nësa presim Ardhjen e Zotit.

Në Paris dje u organizua bisedimi i shtatë i Vëzhguesit të Fesë dhe Kulturës pranë Konferencës ipeshkvnore franceze, me temë: “Dinjiteti i politikanit dhe krishterimi”.

Në Poloni, u kremtua Dita  e lutjes në ndihmë të Kishave të Lindjes.

Në Tokën Shenjte  dje u mbyll Porta Shenjte e Jeruzalemit, me kremtimin e Meshës në Bazilikën e Gjetsemanit, kryesuar nga mëkëmbësi patriakal, imzot William Shomali, në bashkëkremtim me atë Francesco Patto-n, Rojtar i Tokës Shenjte.

E nesër, në Romë, në orën 18.00, muroset edhe Porta Shenjte e Bazilikës së Shën Marisë së Madhe. Është kremtimi i fundmë i Vitit të Jashtëzakonshëm Jubilar të Mëshirës, në prag të një viti të ri kalendarik, që afrohet i ngarkuar me ngjarje ende të panjohura e data ende të pashënuara në kalendar. 








All the contents on this site are copyrighted ©.