2016-12-03 15:18:00

Papa sipërmarrësve: tepër të varfër, duhet një model ekonomik më i drejtë


“Ka shumë të varfër në botë e vijojnë të shtohen akoma. Duhet gjetur me urgjencë një model i ri ekonomik, më i drejtë”: kështu u shpreh Papa, duke pritur, në Sallën Klementine, sipërmarrësit e pranishëm në takimin,  organizuar në Romë e në Vatikan, nga Time-Life. Në fjalimin e tij Ati i Shenjtë e ftoi Kishën të bëhet gjithnjë më shumë zë i atyre, që detyrohen të heshtin.

Tepër ndryshime, në nivel botëror, tepër të varfër, ndërsa pasuria vijon të përqendrohet në pak duar - kujtoi Papa - duke nënvizuar, më tej, se pabarazia ndërmjet popujve vijon të thellohet e se shumë bashkësi janë të goditura drejtpërdrejt nga lufta, nga varfëria e nga nisja e detyruar e emigrantëve dhe e refugjatëve:

“Në këtë atmosferë, shumë prej tyre dëshirojnë t’u dëgjohet zëri, ta denoncojnë këtë pabarazi të papërceptueshme. Këta njerëz dëshirojnë t’u japin ndihmesën e tyre bashkësive lokale e edhe shoqërisë në përgjithësi e t’i gëzojnë pasuritë dhe zhvillimin, që tepër shpesh ruhen vetëm për pak njerëz”.

Në vijim, jo pa  nota optimizmi, Papa kujtoi:

“E kjo, ndërsa mund të krijojë konflikte e t’i  nxjerrë në pah vuajtjet  e shumta të botës sonë, na krijon mundësinë edhe ta kuptojmë se po jetojmë në një çast shprese. Sepse kur, më në fund, arrijmë ta njohim të keqen mes nesh, mund të përpiqemi edhe ta shërojmë, duke përdorur mjekimin e duhur”.

E - shtoi Papa – prania e një numri të madh sipërmarrësish në Vatikan, është shenjë shprese, ngaqë tregon se këta njerëz i njohin problemet që duhen zgjidhur dhe nevojën për të vepruar vendosmërisht. Kjo strategji  përtëritjeje e shprese kërkon një kthesë institucionale e personale, kërkon ndryshimin e zemrës, që i jep përparësi shprehjeve më të thella të humanizmit tonë të përbashkët, të kulturave tona, të bindjeve tona fetare e të traditave tona. Përtëritje, që nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë e tregut, nënvizoi Françesku:

“Jo, kjo për të cilën po flasim është e mira e përgjithshme e njerëzimit, e drejta e çdo njeriu për të pasur pjesën e vet  në të mirat e kësaj bote  e edhe të njëjtat mundësi në realizimin e aftësive të veta, aftësi që, në fund të fundit, bazohen mbi dinjitetin e bijve të Zotit, krijuar sipas shëmbëllimit e ngjashmërisë me Të”.

Prej këndej duhet më shumë përgjegjësi lokale, madje personale, në mënyrë që askush të mos përjashtohet nga pjesëmarrja në shoqëri. Papa nënvizoi se pyetja, që i duhet bërë vetes, është: si mund ta inkurajojmë sa më mirë njëri-tjetrin e t’i inkurajojmë edhe bashkësitë tona për t’iu përgjigjur vuajtjeve e nevojave që i shikojmë, si larg, ashtu edhe mes nesh. Përtëritja, pastrimi e fuqizimi i modeleve të qëndrueshme varet nga kthesa jonë personale dhe nga bujaria ndaj më të varfërve.








All the contents on this site are copyrighted ©.