2016-12-02 17:49:00

Viti Kalasancian. Papa: shkollat e krishtera “të hapura” e “në dalje”


Jetojeni këtë Vit Jubilar si “Rrëshajë të reja të Skolopëve”. Kjo, nxitja që Papa Françesku i drejton, përmes një Mesazhi, eprorit të përgjithshëm të Etërve Skolopë, atë Pedro Aguado Cuesta. Rasti është viti jubilar Kalasancian, përuruar më 27 nëntorin e kaluar, në Kishën e Shën Pantaleut, në Romë, me një Meshë, kryesuar nga kardinali João Braz de Aviz, prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike. Jubileu, që do të përfundojë më 25 nëntor 2017, kremtohet në 400–vjetorin e lindjes së  Shkollave të Përshpirtshme si Kongregatë rregulltare, krijuar nga Shën Jozef Kalasanci.

Katërqind vjet më parë, në vitin 1617, Papa Pali V e kuptoi se ishte Shpirti Shenjt që i printe Jozef Kalasancit për t’iu kushtuar edukimit të fëmijëve, të cilët, në kohën e tij, bridhnin nëpër rrugët e Romës. E zgjodhi Kongregatën paoline të të varfërve të Nënës së Zotit të Shkollave të Përshpirtshme, si “Kongregata e parë e Kishës, që do t’i kushtohej plotësisht edukimit të fëmijëve, posaçërisht më të varfërve”. Këtë kujton Françesku në mesazhin e rastit, ashtu siç kujton se kanë kaluar 250 vjet nga shenjtërimi i Jozef Kalasancit. Edhe pse rrethanat kanë ndryshuar, nevojat të cilave u përgjigjet Urdhëri janë të njëjta - kujton Papa.-  Në këto 4 shekuj shkollat kanë qenë gjithnjë në “hapje” e “në dalje”, nga Roma, drejt vendeve të vogla  italiane e akoma, atyre evropiane, deri tek kontinentet e tjera. E pastaj, me Koncilin II të Vatikanit - vijon mesazhi Papnor - i hapën rrugën Vëllazërive Skolope, "duke ftuar laikët, burra e gra, ta ndajnë me ju misionin”. Këtë nënvizon Françesku, që i porosit rregulltarët të jenë të pranishëm posaçërisht atje, ku më të vegjlit vuajnë padrejtësisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.