2016-12-02 15:45:00

Papa: të veprohet kundër trafikut të njerëzve dhe formave të skllavërisë


Në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Skllavërisë, Papa, në një tweet, i fton “të gjithë njerëzit vullnetmirë t’i kundërvihen trafikut të njerëzve dhe formave të reja të skllavërisë”. Për karakteristikat moderne të kësaj plage,  që ua shkatërron jetën mijëra njerëzve, flet, në mikrofonin tonë, rregulltari kombonian, atë Giulio Albanese, drejtor i revistës “Popuj e Misione”:

Përgjigje: - Tiparet fizionomike të skllavërisë moderne lidhen me atë, që njihet si globalizim i tregjeve, me rezultat, njerëzimin e munduar, posaçërisht breznitë e reja, që flijohen në altarin e egoizmit njerëzor. Është fakt se sot kemi një sërë çështjesh të lidhura kryesisht me shfrytëzimin  e njeriut deri në palcë, domethënë, ndodhemi para mohimit të plotë të dinjitetit të njeriut, krijuar sipas shëmbëllesës së Zotit.

Pyetje: - Karta e të Drejtave të Njeriut e ndalon trafikun e njerëzve, por shfrytëzimi vijon, me ftime kolosale ilegale. Flitet për miliarda: vetëm në vitin 2015, 150 miliard dollarë…

Përgjigje: - Çështja tregtare, në një shoqëri të globalizuar, ku rregullat e lojës i dikton hyjnesha para, për fat të keq, përfundon gjithnjë në këtë mënyrë. Edhe pse duhet të kemi parasysh rrethanat në të cilat është i pranishëm fenomeni: ndryshe është, për shembull, në Mauritani, e ndryshe në vende të tjera islamike. E nuk duhet të harrojmë se edhe fëmijët përdoren si cjapi te kasapi, kur është fjala për trafikun më të ulët, atë të organeve. Të gjitha këto janë situata, të cilat bashkësia ndërkombëtare nuk duhet  t’i bëjë sehir duarkryq nga dritarja, por të veprojë, duke e pasur mirë parasysh se e drejta e popujve dhe drejtësia ndërkombëtare nuk po zbatohen, përballë kësaj plage kaq të rëndë, që quhet skllavëri moderne. E kjo ndodh sepse atje ku ka epërsi ekonomia, të drejtat e njeriut kalojnë gjithnjë në plan të fundit!








All the contents on this site are copyrighted ©.