2016-12-02 18:16:00

Kard. Müller për letrën e 4 kardinajve: “jo” polarizimeve


Kongregata për Doktrinën e Fesë, tani për tani, nuk mendon t’i përgjigjet letrës së katër kardinajve, që i kërkojnë Papës të sqarojë disa dyshime mbi interpretimin e Nxitjes Apostolike “Amoris laetitia”, në veçanti, për mundësinë që të divorcuarit e martuar rishtas të mund të marrin Kungimin Shenjt në disa raste. Njoftimin e jep prefekti i dikasterit, kardinali Gerhard Ludwig Müller, në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve Kathpress.

         Kongregata për Doktrinën e Fesë, nënvizon prelati i lartë, flet “me autoritetin e Papës” e nuk mund “të marrë pjesë në diatribën e opinioneve”. Kardinali Müller vë në dukje se letra i drejtohet Atit të Shenjtë, i cili mund ta ngarkojë dikasterin të merret me këtë çështje, si organizëm kompetent për tematikat e magjisterit kishtar mbi fenë e moralin.

Debat objektiv, “jo” polarizimeve

         Prefekti kërkon një debat pa polarizime për Nxitjen Apostolike “Amoris Laetita”. Në përgjigjet për agjencinë Kathpress, ai nuk hyn në diskutime për pikën e kërkuar nga katër kardinajtë, por thekson se dokumenti nuk duhet interpretuar sikur pohimet e papëve të mëparshëm, ose të vetë Kongregatës për Doktrinën e Fesë janë të pavlefshme. Ai citon përgjigjen zyrtare të dikasterit për letrën baritore të tre ipeshkvijve të Renanisë së Epërme, në vitin 1993, kur kardinali Joseph Ratzinger, atëherë prefekt i Kongregatës, hodhi poshtë kërkesën e prelatëve për të bërë një përjashtim në disa raste, duke u dhënë kungimin disa të divorcuarve të rimartuar, pas një udhe të përbashkët feje, shoqëruar nga meshtarët e tyre.

Pazgjidhshmëria e martesës e mëshira e Zotit

         Pazgjidhshmëria e martesës, pohon kardinali Muller, duhet të jetë “themeli i patundur” i mësimit të Kishës. Por, njëkohësisht, Papa Françesku dëshiron t’i ndihmojë të gjithë ata, që kalojnë krizë familjare e martesore, “të gjejnë një rrugë, që përkon me vullnetin gjithnjë të mëshirshëm të Hyjit”. Së fundi, prelati hedh poshtë teoritë për kundërshti të brendshme në Vatikan, ndërmjet atyre që duan reforma e atyre që frenojnë. Sipas tij, është fjala për “fitoren e së vërtetës e jo për triumfin e pushtetit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.